Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të shtunën ka mposhtur Estoninë me rezultat 75:69. Kështu ajo do të jetë pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës “Kina 2019” në mesin e 32 kombëtareve të tjera që janë pjesë e kësaj gare madhështore.
Kosova pret tani shortin e së mërkurës së ardhshme që do të mbahet në Munih të Gjermanisë për të mësuar grupin dhe emrat e kundërshtarëve të ardhshëm.
Përndryshe, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) falënderon të gjithë tifozët që ishin të pranishëm në palestër, dhe ata që e përkrahën përfaqësuesen e Kosovës nëpërmjet ekranit televiziv.
“Kosova ka shënuar fitore historike të shtunën ndaj Estonisë në Pallatin e Rinisë për ta siguruar plasmanin në ndeshjet kualifikuese për Botërorin “Kina 2019” në basketboll.
Kosova këtë përballje e fitoi me rezultat 75-69.
Në një ndeshje të elektrizuar në Pallatin e Rinisë në Prishtinë djelmoshat e Brad Greenbergut dhanë një performancë të jashtëzakonshme ndaj Estonisë së fortë, që tashmë ka siguruar plasmanin.
Një nga më meritorët për këtë kualifikim të Kosovës ishte kapiteni Dardan Berisha, i cili shënoi 28 pikë, gjashtë asiste dhe pati katër kërcime.
Ai u ndihmua nga Erjon Kastrati që shënoi 13 pikë.
Me këtë fitore Kosova ka përfunduar e dyta në Grupin C me dy fitore, duke eliminuar Maqedoninë, që kishte shënuar vetëm një fitore, atë ndaj Kosovës”, thuhet në urimin e FBK-së për fitore ne përfaqësuese së Kosovës.