Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do t’i zhvillojë dy ndeshje të rëndësishme në fillim të muajit shtator, në kuadër të eliminatoreve për kampionatin evropian “Euro 2020”.
Fillimisht më 7 shtator “Dardanët” e presin Republikën e Çekisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e pas tri ditësh udhëtojnë drejt Southamptonit, për t’u përballur me Anglinë.
Edhe në këto dy ndeshje përzgjedhësi Bernard Challandes do të përballet me lëndime të shumta të futbollistëve.
Herolind Shala, Hekuran Kryeziu, Milot Rashica dhe Arbër Zeneli janë katër futbollistët të cilët edhe zyrtarisht do t’i mungojnë Kosovës në dy ndeshjet e muajit të ardhshëm.
Sikur të mjaftonte vetëm kjo, Kosova përballet edhe me një problem tjetër.
Bëhet fjalë për situatën e palakmueshme të tre portierëve, që së fundmi kanë mbrojtur ngjyrat e Përfaqësueses së Kosovës.
Arijanet Muriçi ka pësuar rënie në formë që prej kalimit në huazim te Nottingham Foresti, derisa e ka humbur edhe vendin e titullarit, ndërkaq Samir Ujkani është pa ekip, kurse Visar Bekaj nuk ka luajtur tash e disa muaj për Prishtinën, pasi pritet të transferohet jashtë vendit.