Një pjesë e futbollistëve të Kombëtares së Kosovës i kanë nisur të martën pasdite përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese të qershorit për Kampionatin Evropian 2020, përfshirë prurjen e re, Florent Hadërgjonajn.
Pesë prej njëzetepesë futbollistëve të ftuar nga trajneri Bernard Challandes për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë zbritën dje në fushën e gjelbër të stadiumit Fadil Vokrri në Prishtinë.
Edhe pse sapo është bërë pjesë e ekipit të Kosovës, Florent Hadërgjonaj dhe Milot Rashica e shfaqën lidhjen e tyre të mirë në fushë qysh në stërvitjet e para.
Gjatë seancës stërvitore që u mbajt dje në “Fadil Vokrri”, Hadërgjonaj e harkoi një top brenda zonës së 16-metërshit dhe Rashica e dëshmoi veten duke e shënuar atë në stilin “vollej”.
Kosova do të udhëtojë drejt Podgoricës më 7 qershor për t’u përballur me Malin e Zi, para se ta vizitojë Sofjen për t’u ndeshur me Bullgarinë në dy ndeshjet e Grupit A kualifikues, ku bëjnë pjesë edhe Anglia dhe Republika e Çekisë.