Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, i drejtuar nga Haki Abazi, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën për të raportuar lidhur me zhvillimet dhe veprimet pas fillimit të luftës në Ukrainë ishte e ftuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Kryetari Abazi, lidhur me zhvillimet dhe veprimet pas fillimit të luftës në Ukrainë theksoi se nga i gjithë kuadri i ngjarjeve që janë duke ndodhur, institucionet e Kosovës kanë bërë punë të jashtëzakonshme, duke u rreshtuar përkrah botës demokratike. Siç tha ai, i gjithë spektri i çështjeve dhe argumenteve është në anën e shtetit të Kosovës, për të qëndruar këtu ku jemi.
“Është detyrë e jona institucionale të bëjmë atë që kemi bërë dhe të vazhdojmë që nga afër të qëndrojmë bashkë me Aleancën Euroatlantike, Bashkimin Evropian dhe botën demokratike në dënimin e dhunës dhe agresionit rus në Ukrainë”, theksoi Abazi.
Sa i përket zhvillimeve dhe veprimeve pas fillimit të luftës në Ukrainë ministrja Gërvalla, para anëtarëve të komisionit paraqiti një ekspoze lidhur me punën dhe aktivitetet e ndërmarra nga institucioni që ajo përfaqëson. Me këtë rast, ajo theksoi se janë ndërmarrë masat e duhura dhe të nevojshme lidhur me rreshtimin, mekanizmat, sanksionet, si dhe veprimet e tjera parandaluese, ndaj ndonjë rreziku eventual. Prandaj, sipas saj, nuk ka vend për panik rreth situatës së krijuar.
Ministrja Gërvalla po ashtu theksoi se rreth aktualitetit të ndryshuar në përgjithësi, në zhvillimet në Evropë dhe rajon, Kosova shumë shpejt dhe shumë qartë është pozicionuar në krah të partnerëve dhe aleatëve të saj, botës demokratike dhe botës së lirë.
Në anën tjetër, anëtarët e komisionit shtruan pyetje për ministren Gërvalla, duke marrë kështu edhe përgjigjet nga ana e saj.
Në këtë mbledhje, kryetari Abazi po ashtu informoi anëtarët e komisionit lidhur me vizitën zyrtare realizuar në Republikën e Turqisë. Vizitën kryetari Abazi e cilësoi shumë të rëndësishme, duke theksuar se në kuadër të saj janë realizuar shumë takime konstruktive lidhur me raportet Kosovë-Turqi.
Gjithashtu, anëtarët e komisionit në këtë mbledhje shqyrtuan dhe miratuan Planin e punës së Komisionit për vitin 2022. /2LONLINE/