Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot në orët e mesditës përgatitjet për ndeshjen kundër Malit të Zi.
Në shërbim të përzgjedhësit Bernard Challandes kanë qenë të gjithë futbollistët, të cilët gjatë daljes në fushën e gjelbër janë shoqëruar me duartrokitje të një grupi të fëmijëve, të cilët kishin ardhur për ta ndjekur stërvitjen e Dardanëve.
Për dallim nga ditët e kaluara kur stërvitjet janë zhvilluar në orët e mbrëmjes, sot, trajneri zviceran ka preferuar orët e mesditës për ta kryer stërvitjen e radhës, në të cilën futbollistët krahas punës në aspektin fizik dhe disa skemave të lojës, u fokusuan edhe në harkime nga krahët si dhe ushtruan gjuajtjet standarde.
Edhe në këtë seancë stërvitore Challandes kërkoi nga futbollistët që kundër Malit të Zi të jenë sa më agresivë në sulm dhe të jenë sa më të përqendruar që të shfrytëzojnë në maksimum secilin rast që u jepet.
Ndërkohë, atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe të gjithë futbollistët e presin me entuziazëm mbrëmjen e së hënës me bindje se do të arrijnë fitoren e radhës, e cila do t’i mbajë Dardanët në garë për kualifikim në Euro 2020.
Stërvitjen e fundit para ndeshjes Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë të dielën në orën 18:00, ku trajneri zviceran përfundimisht do të vendosë për lojtarët me të cilët do t’i kundërvihet Malit të Zi.