Në këtë situatë pala kosovare duhet t’i deklarojë negociatat të pezulluara derisa Serbia ta tërheq betimin e 28 tetorit të Qeverisë së saj në lidhje me mbajtjen e Kosovës brenda Serbisë; derisa Serbia ta heq nga Kushtetuta e saj, klauzolën që Kosovën e konsideron pjesë përbërëse të Serbisë; derisa Serbia të jetë e gatshme të pranojë pavarësinë e Kosovës; derisa …
Shkruan: Ismajl Kurtehsi – 2LONLINE.com
Derisa përfaqësuesit e Kosovës çdo ditë e përsërisin qëndrimin e tyre në lidhje me negociatat me Serbinë duke thënë se nuk ka asnjë marrëveshje me Serbinë pa pranimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.
Në anën tjetër presidenti serb Vuqiq dhe zyrtarë të lartë të Serbisë, pothuajse çdo ditë deklarohen se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Për të dëshmuar para qytetarëve të tyre dhe botës se janë të vendosur për atë që e thonë, këto ditë qëndrimin e tyre e përforcuan me betimin e Qeverisë së re të Serbisë në Kuvendin e Serbisë, se Kosovën do ta ruajnë si pjesë të Serbisë.
Në këto rrethana, nuk ekziston asnjë arsye e vetme që pala kosovare të takohet me palën serbe qoftë në Bruksel, Uashington apo gjetiu.
Në këtë situatë pala kosovare duhet t’i deklarojë negociatat të pezulluara, derisa Serbia ta tërheq betimin e 28 tetorit, të Qeverisë së saj në lidhje me mbajtjen e Kosovës brenda Serbisë.
Derisa Serbia ta heq nga Kushtetuta e saj, klauzolën që Kosovën e konsideron pjesë përbërëse të Serbisë.
Derisa Serbia të jetë e gatshme ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Derisa …
Nëse Qeveria e Kosovës nuk i pezullon menjëherë bisedimet, atëherë ekziston dyshimi se Qeveria e Kosovës në krye me Hotin/Mustafën dhe përkrahjen e Haradinajt dhe Limajt, nuk do të ndalen së plotësuari kërkesat e Serbisë, që në esencë janë angazhime për shkatërrimin e shtetit të Kosovës.
Kërkesat e tilla, qofshin ato edhe të përkrahura nga ndërkombëtarët nuk bënë dhe nuk mund të plotësohen.
Durimit të qytetarëve po i vjen fundi, pushtetarët mashtrues do të përballen me reagimin e furishëm, por të drejtë të qytetarëve për t’i mbrojtur frytet e sakrificës dhe luftës së pandërprerë, të tyre dhe brezave pararendës, kundër pushtuesit serb.
Negociatat me Serbinë duhet të pezullohen, derisa Serbia të jetë e gatshme të pranojë pavarësinë e Kosovës./2LONLINE.com/