Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë filluar punën për lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatit, ndërmjetësuesit në këto dy shtete si dhe njohjen reciproke të provimit të Jurisprudencës.
Kjo u bë e ditur në një konferencë për mediat pas takimit të Ministres së Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu me homologun e saj nga Republika e Shqipërisë, Ulsi Manja.
“Kjo do të mundësojë që avokatët e ndërmjetësuesit të shtrijnë aktivitetin profesional të tyre në të dyja vendet, ashtu si edhe njohjen reciproke të provimit të jurisprudencës, si kriter për zhvillimin e karrierës profesionale në fushën e Drejtësisë”, tha ministrja Haxhiu.
Sipas saj, një nisëm tjetër mes dy vendeve është edhe arritja e marrëveshjes për njohjen dhe zbatimin e dënimeve alternative, e cila do të mundësojë që shtetasit kosovar të liruar me kusht nga organet kompetente të Shqipërisë të mbikëqyren nga Shërbimi Sprovues i Kosovës dhe anasjelltas.
“Bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë, më shumë se interes, ai është vullnet i të gjithë qytetarëve, madje i ëndërruar në shekuj. Kështu, përgjegjësia jonë përveçse politike është edhe historike. Sikurse për peshën që bartë vullneti i kahershëm qytetarë ashtu edhe për të ardhmen që sjell ajo”, deklaroi ministrja Haxhiu.
Ndërsa ministri Manja tha se Shqipëria e Kosova kanë vullnet të lartë për të quar përpara marrëveshjet në fushën e drejtësisë.
“Bashkëpunimi mes dy vendeve tona fillon nga drejtësia. Konstatoj se sa i përket dy ministrive tona nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunimin tonë si në fushën penale ashtu edhe në atë civile dhe tregtare”, tha ministri Manja. /2LONLINE/