Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në Koshare, në 22-vjetorin e kësaj beteje të UÇK-së. Ajo ka thënë se thyerja e kufirit me Shqipërinë në Koshare nga Brigada 138, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit e Sali Çekajt, 22 vjet më parë ishte kambana e lirisë.
“Liria mori kuptim kur trimat e Brigadës 138, e vulosën përfundimisht lirinë tonë, shtruan bazament të fortë për të ardhmen, shtetin dhe kujtesën historike. Kësisoj Kosharja u shndërrua dhe vazhdon të jetë pelegrinazh lirie. Aty u bashkuan trimëria me mendjen, sakrifica me idealin dhe përjetësia me lirinë”, ka shkruar në profilin e saj, presidentja Osmani.
Ja postimi i plotë:
Thyerja e kufirit me Shqipërinë në Koshare nga Brigada 138, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit e Sali Çekajt, 22 vjet më parë ishte kambana e lirisë.
Nga 9 prilli i vitit 1999 e deri më 10 qershor, në këtë vend si askund tjetër, trimat e kësaj Brigade, i dhanë goditjen përfundimtare regjimit gjenocidal serb, i cili në këtë datë shënoi kapitullimin.
Në këtë ditë nuk u hoq vetëm një gur kufiri, por u hoq edhe një pengesë emocionale ndërmjet motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri.
Liria mori kuptim kur trimat e Brigadës 138, e vulosën përfundimisht lirinë tonë, shtruan bazament të fortë për të ardhmen, shtetin dhe kujtesën historike.
Kësisoj Kosharja u shndërrua dhe vazhdon të jetë pelegrinazh lirie.
Aty u bashkuan trimëria me mendjen, sakrifica me idealin dhe përjetësia me lirinë!
Sot, përkulemi me dinjitet para varreve të këtyre trimave, të cilët mbrojtën dinjitetin, ekzistencën dhe trashëgiminë tonë!
Testamentin e tyre për shtetin do ta përmbushim çdo ditë, me përkushtim maksimal, për të ardhmen e brezave!
Nuk ka më gurë ndërmjet nesh, por ka veç rrugë, ka integrim, ka bashkëpunim ndërvëllazëror dhe kultivim të shpirtit liridashës!
Lavdi dhe kujtim i përhershëm për të gjithë ata që ranë për lirinë tonë! /2LONLINE.com/