Pas shpërndarjes së mirënjohjeve për veteranët e UÇPMB-së nga ana e OVL të UÇPMB-së-Dega në Bujanoc, pati edhe pakënaqësi, pasi kishte edhe të tillë që janë ndier të anashkaluar apo që nuk janë pajtuar me këtë ndarje.
Me që një pjesë e konsiderueshme e ish luftëtarëve të UÇPMB-së, kanë qenë edhe ish ushtarë të UÇK-së dhe se tani janë edhe pjesë e organizimit në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së – Dega në Gjilan, kreu i kësaj organizate Jeton Sherifi ka dal me sqarim duke potencuar se kontribut i secilit luftëtarë të lirisë do të çmohet dhe nderohet ashtu siç i ka hije dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejohet ndërhyrje e personave jo kompetentë, përpjekja e të cilëve do të shkaktonte veprime dashakeqëse dhe përçarëse…
Ja sqarim i plotë:
*Të nderuar bashkëluftëtarë,
Veteran të UCK-së dhe të UÇPMB-së
Me që një pjesë e konsiderueshme e ish luftëtarëve të UÇPMB-së, kanë qenë edhe ish ushtarë të UÇK-së dhe se tani janë edhe pjesë e organizimit tonë në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së – Dega në Gjilan, ndjejë obligim që të jap një sqarim lidhur me shpërndarjen e mirënjohjeve për veteranët e UÇPMB-së nga ana e OVL të UÇPMB-së – Dega Bujanoc.
Shpërndarjen e këtyre “Mirënjohjeve” jo gjithkush e mirëpriti. Dikush u ndie i anashkaluar e të tjerë po bëjnë përpjekje për të shfrytëzuar për interesa të ulëta. Kontributi i secilit luftëtarë të lirisë do të çmohet dhe nderohet ashtu siç i ka hije dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejohet ndërhyrje e personave jo kompetentë, përpjekja e të cilëve do të shkaktonte veprime dashakeqëse dhe përçarëse.
OVL UÇK-së, Dega në Gjilan ka bashkëpunim të ngushtë me OVL e UÇPMB-së në Bujanoc dhe Preshevë. Po ashtu kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me komandantin e UÇPMB-së, z. Shefket Musliu. Prandaj jemi mirë të informuar se shpërndarja e këtyre “Mirënjohjeve” është bërë nga OVL UÇPMB-së Dega në Bujanoc e cila paraprakisht është konsultuar me komandantin e ish UÇPMB-së, z. Shefket Musliu. Po ashtu jemi të informuar se të gjithë ish ushtarët e UÇPMB-së, luftëtarët e lirisë do t’u njihet dhe do t’u vlerësohet kontributi i tyre. Vetëm ky relacion i jep legjitimitetin e vlerësimit të kontributit të dhënë në UÇPMB nga secili luftëtarë i lirisë. Çdo tendencë tjetër, është veprim i dyshimtë dhe i papranueshëm.
Jeton Sherifi – kryetar i OVL UÇK-së