Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot ka takuar një grup gazetarësh ukrainas të cilët kanë vizituar Ministrinë e Mbrojtjes, me qëllim diskutimin rreth situatës aktuale në Ukrainë dhe ofrimin e njohurive kulturore dhe gjuhësore për pjesëtarët e FSK-së, të cilët do të qëndrojnë për gjashtë muaj nën ombrellën e Ushtrisë britanike për të kontribuar në trajnimin e ushtarëve ukrainas.
Ministri Maqedonci me këtë rast ka theksuar se ky angazhim i Forcës së Sigurisë së Kosovës është në linjë me qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në mbështetje të popullit dhe luftës së drejtë të Ukrainës.
Operacioni Interlfex zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka për qëllim trajnimin e trupave të Ushtrisë së Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë ofruar gatishmërinë që të angazhojnë instruktorë për të ndihmuar procesin e stërvitjes së ushtrisë ukrainase në kuadër të këtij operacioni.
Kësisoj, Forca e Sigurisë së Kosovës do t’i bashkëngjisë një kontingjent të instruktorëve profesionistë njësisë së Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar që realizon operacionin Interlfex. /2LONLINE/