Në kuadër të shënimit të 24-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari e të familjes Jashari, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Pas homahzeve, kryetari Konjufca tha se sakrifica e Komandantit legjendar Adem Jashari dhe e familjes Jashari ishte një moment kur ajo kthehet në epope edhe kur i gjithë kombi shqiptar mobilizohet dhe bëhet UÇK.
Kreu i Kuvendit tha se ky moment jo vetëm që e ktheu të gjithë kombin në një ushtri dhe të gatshëm për ta dhënë jetën, por faktikisht e shkundi të gjithë botën, duke e aktivizuar faktorin ndërkombëtar që të besonte në kauzën tonë të drejtë.
“Nga ky kuptim mendoj që sakrifica e Jasharajve është momenti më i rëndësishëm brenda përpjekjes çlirimtare të popullit të Kosovës për lirinë tonë. Lavdi e përjetshme Jasharajve! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!”, tha kryetari Konjufca.
Pas homazheve, të tre liderët e vendit dhe delegacioni që i shoqëronte, vizituan familjen Jashari, ku u pritën nga Rifat Jashari, vëlla i Komandantit legjendar Adem Jashari dhe anëtarë të tjerë të kësaj familjeje.
Duke i falënderuar për vizitën, Rifat Jashari tha se të gjithë kanë dhënë për çlirimin e Kosovës, ndërsa tani të gjithë duhet punuar së bashku për zhvillimin e vendit, që për lirinë e tij, askush nuk kurseu asgjë. /2LONLINE/