Me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është mbajtur sot një Konferencë me nxënës të shkollave të mesme të komunës së Vitisë, drejtimi juridik, me temë: E drejta pronësore si e drejtë kushtetuese dhe rëndësia e zbatimit të saj në Kosovë”, organizuar nga USAID-i amerikan në bashkëpunim me komunën e Vitisë.
Në këtë konferencë, përpos udhëheqësve komunal, morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të Gjykatës Kushtetuese, gjykatës së Vitisë, noterisë etj. Punimet e konferencës i shpalli të hapura drejtoresha për Gjeodezi, Kadastër dhe pronë Fatbardha Emini, ndërkaq në emër të Institucioneve komunale të Vitisë, i përshëndeti zv.kryetari i komunës Hasan Aliu.
Drejtori i Programit të USAID-it për të Drejtat Pronësore Brian Kemple, u shpreh se të drejtat pronësore janë edhe të drejtat njerëzore, andaj duhet një angazhim i të gjitha palëve që të ndikojnë pozitivisht të respektohet kjo e drejtë.
“Ne jemi duke bashkëpunuar me të gjitha instancat, në mënyre që të shtyjmë proceset që kanë të bëjnë me të drejtën pronësore”, ka thënë mes tjerash Kemple.
Kurse Vjosa Shkodra, përfaqësuese e USAID-it për drejtat pronësore, ka theksuar se duhet një vetëdijesim i qytetarëve për këtë proces dhe rol shumë të rëndësishëm mund të luaj edhe shoqëria civile, në mënyrë që të ndikoj drejtpërdrejtë në faktorët që mund të jenë pjesë e zbatimit të të drejtës pronësore.
Sevdail Kastrati këshilltar i parë në Gjykatën Kushtetuese, ka njoftuar se si i trajton kjo Gjykatë rastet e drejtës pronësore.
Në këtë konferencë folën edhe Skender Shefkiu kryetar i Gjykatës Themelore-Njësia në Viti, si dhe Agim Sylejmani noter.
Në pjesën e dytë të konferencës u hap debat ku nxënësit dhe të pranishmit tjerë patën rastin të parashtrojnë pyetje lidhur me temën e caktuar.
Kjo konferencë u mbajt në ambientet e shkollës së mesme profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Viti.