Në Veenendial të Holandës, Shoqata Demokratike Shqiptare “Çamëria” zhvilloi një konferencë për ndërgjegjësimin e çështjes çame, pjesëmarrës edhe përfaqësues të shoqërisë civile e medias nga Lugina e Preshevës.
Në takimin e zhvilluar të mërkurën nga kreu i shoqatës, Festim Lato merrnin pjesë intelektualë nga gjithë trevat shqipfolëse dhe të huaj, mes të cilëve Koço Danaj dhe At Nikolla Marku.
Ky takim synonte ndërgjegjësimin dhe bërjen publike të çështjes çame në rang ndërkombëtar deri në korridoret e Brukselit për të njohur të drejtat e popullsisë çame, sidomos ato që lidhen me pronësinë.
Të ftuar në punimet e kësaj konference janë edhe përfaqësues të sektorit civil si dhe medias nga komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, raporton Titulli.com.
Dhjetëra veprimtarë, studjues, historian, klerikë dhe shkrimtarë në trajtesat e tyre kanë hedhur dritë mbi historinë e hidhur të Çamërisë, duke kërkuar një angazhim gjithëpërfshirës të faktorit shqiptar kudo që ndodhet për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar, në mënyrë që kjo çështje të gjejë zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë.
Shoqata Demokratike “Çamëria” synon që të tilla aktivitete si ky në Veenendial të Holandës të tërheqin vëmendjen edhe të institucioneve shtetërore në Shqipëri dhe në Kosovë, që kjo çështje sa më parë të futet në axhenden e institucioneve të Bashkimit Evropian, ndërkohë që në Senatin amerikan tashmë çështja çame është spikatur.
Shoqata Demokratike Shqiptare “Çamëria”, do të vazhdojë ta mbajë gjallë këtë çështje, madje do të organizojë veprimtari që do të nxisin të reflektojë edhe diplomacia moderne evropiane për domosdoshmërinë e zgjidhjes së çështjes çame.