Shkruan: Ismajl KURTESHI
Me interesim të veçantë e prisja seancën e Kuvendit të Kosovës, të ftuar nga LDK-ja me 2 mars, ku Kryeministri do t’i informonte deputetët për rrjedhën e takimit të 27 shkurtit në Bruksel me Presidentin e Serbisë e të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Përveç informatës së Kryeministrit, prisja edhe diskutime ku deputetët do të shprehnin qoftë mospajtime, qoftë pajtime, për pika të caktuara të propozimit fanko – gjerman, por edhe sugjerime e propozime konkrete për takimet e radhës, pasi që dihet se ky është një proces që do të zgjas. Madje nga diskutimet në vijim do të varet shumë se cilat do të jenë përfitimet e Kosovës e cilat humbjet eventuale. Pra çështje shumë serioze që kërkon seriozitet maksimal, koordinim në mes të gjithë atyre që mund të kontribuojnë e sidomos në mes të institucioneve të vendit, koncentrim në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për Kosovën, këshillim me ekspertë brenda e jashtë vendit.
Pas ekspozesë së Kryeministrit, filluan diskutimet në të cilat më së paku flitej për propozimin i cili kritikohej nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së e lavdërohej nga deputetët e VV-së.
Kritika shpesh nuk lidhej fare me materien e marrëveshjes, deputetët më shumë merreshin me deklaratat e Albin Kurtit si opozitar, se me qëndrimin e tij karshi marrëveshjes si Kryeministër. Disa deputetë shkonin edhe më larg, dilnin me konstatimin se Albini është frikacak, të tjerët parashikonin se si do të përfundojë ky proces.
Derisa opozita kritikonte e fyente, deputetët e pozitës herë e mbronin Kryeministrin e herë marrëveshjen.
E përbashkëta e diskutimeve ishte: sulm, mbrojtje, fyerje, lavdërim, leksione nga e kaluara dhe pak analiza dhe sugjerime për kryeçështjen.
Deputetët mund ta marrin me mend si janë ndjer qytetarët që kishin vendosur ta përcjellin këtë debat, për marrëveshjen Kosovë – Serbi, në ato orë të vona të asaj nate të gjatë.
Ne qytetarët dhe aktivistët politik, të interesuar për fatin e vendit, presim nga ju që ta ftoni në interpelancë Kryeministrin, sa herë që e konsideroni të nevojshme, por në seancat për çështje të rëndësishme si kjo e 2 marsit, por në ato seanca presim të mbretërojë arsyeja e serioziteti, ne presim që me sugjerimet tuaja, të respektuar deputetë, ta ndihmoni Kosovën edhe përmes sugjerimeve dhënë Kryeministrit.
Inatet dhe mosangazhimi i duhur i juaji, që përfaqësoni interesa e popullit, kam frikë se nuk e ndihmon kauzën tonë të përbashkët. Në anën tjetër, pa dyshim Ju të gjithë, bashkë me ne që po ju përcjellim, jemi të interesuar që ky proces të përfundojë ashtu siç e meriton Kosova jonë e vuajtur. /2LONLINE/