KOMUNIKATË E PËRBASHKËT PROKURORI – POLICI
Lidhur me rastin e grabitjes së armatosur të ndodhur me datën 22.11.2023 në Suharekë, ku të dyshuarit gjatë grabitjes kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka vazhduar hetimet intensive, me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.
Si rezultat i hetimeve të pandërprera fillimisht ishin arrestuar tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes, përderisa hetimet drejt identifikimit dhe ndriçimit të rastit kanë vazhduar deri më sot, kur edhe është realizuar operacioni policor.
Pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive, sot në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë është realizuar operacioni policor i cili ka përfshirë kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.
Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor.
Zyrtarit policor i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK, ku sipas informatave të para nga mjekët kompetentë i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.
Vlen të potencohet se personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj.
Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente. /2LONLINE/