Nën vazhdimësinë e aktiviteteve të tij, Asociacioni i Komunave të Kosovës organizoi takimin e Kolegjiumit për Arsim, ku Drejtoritë Komunale për Arsim (DKA) parashtrojnë çështjet dhe sfidat aktuale në fushën e arsimit para universitar në Komuna.
Njëra ndër shqetësimet e fundit me të cilat po ballafaqohen DKA-të, është edhe zbatimi në teren i udhëzuesit për zëvendësimin dhe pagesën e mësimdhënësve me gjendje të rëndë shëndetësore.
Me këtë rast Kryesuesja e Kolegjiumit znj. Besiana Musmurati edhe një herë paraqiti vështirësinë në zbatimin e këtij udhëzuesi për shkak të mospajtimeve në zbatim, në mes të Komunave, Thesarit (MFT) dhe Ministrisë së Arsimit (MASHTI).
Komunat edhe një herë shprehën shqetësimin e tyre sa i përket interpretimit të duhur të këtij udhëzuesi, sepse nuk mund të shfrytëzojnë fondin e paracaktuar.
Me këtë rast z.Avni Rexha u.d. Drejtor i departamentit te Arsimit Parauniversitar plotësoi se duhet të respektohen kriteret e paracaktuara në udhëzues sikurse janë vendet e lira të punës dhe sqarimet e Thesarit.
Drejtorët komunalë në argumentimet e tyre sqaruan se këtë fond mund ta shfrytëzojnë vetëm DKA-të të cilat kanë vende të lira të punës. E njëjta problematikë shfaqet edhe tek rekrutimi i psikologëve të rinj në shkolla, asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta të cilët nuk mund të angazhohen nëse nuk ka shkurtesa tek numri i përgjithshëm i mësimdhënësve.
Kjo temë paraqet një sfidë të veçantë e cila kërkon një angazhim të drejtpërdrejt të DKA-ve, MASHTI dhe MFT në reformën e përgjithshme për një ri-sistemim ose një rregullim më të mirë të numrit të shkollave, mënyrën e menaxhimit në shkolla për të balancuar mungesën e mësimdhënësve në shumë komuna. Andaj konkluzioni përfundimtar nga ky takim ishte kërkesa për interpretim nga MASHTI për procedurat e udhëzuesit për zëvendësimin dhe pagesën e mësimdhënësve me gjendje të rëndë shëndetësore.
Kolegjiumi për Arsim shpreh edhe një herë gatishmërinë pa rezervë për bashkëpunim me MASHTI-n, në të njëjtën kohë kërkon në mënyrë urgjente vendosjen e komunikimit në diskutimin e temave dhe shqetësimeve urgjente të cilat ballafaqohen autoritetet lokale në arsimin para universitar.
Po ashtu Drejtorët Komunalë për Arsim konsideruan të rëndësishëm angazhimin e anëtarëve të Kolegjiumit në kuadër të AKK-së, si një mekanizëm i rëndësishëm konsultativ, në pjesëmarrje të grupeve punuese nga MASHTI, i cili ndihmon në adresimin e sfidave dhe mundësive në zhvillimin e arsimit.
Njëkohësisht Kolegjiumi për Arsim ka shqyrtuar planin e punës, sa i përket koordinimit të aktiviteteve duke përfshirë adresimin e kërkesave të komunave në proceset legjislative me objektiv përmirësimin e vetëqeverisjes lokale. /2LONLINE/