/2L ONLINE/ – Zyra për Informim e Komunës së Gjilanit vazhdon praktikën e organizimit të konferencave të shefave të grupimeve politike që përfaqësohen në asamblenë komunale të Gjilanit, për t`iu dhënë mundësi atyre që të vlerësojnë punën e organit vendimmarrës, këtë radhë, për periudhën e 6-mujorit të parë të vitit, sipas këndvështrimit të tyre. Por jo të gjithë grupimet do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj ftese.
PDK-ja nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese të Zyrës për Informim të Komunës, dhe këtë për Portalin 2LONLINE, e konfirmon edhe Sahit Abazi, Shef i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, në Asamblenë Komunale të Gjilanit.
“Ne e falënderojmë Zyrën për Informim për ftesën, por nuk do të marrim pjesë për shkak se të tilla konferenca periodike kemi paraparë në selinë e PDK dhe konsiderojmë që aty do t’i paraqesim qëndrimet tona përkitazi me ngjarjet dhe rrethanat politike. Gjatë javës PDK-ja veç ka paraparë të organizojë konferencën e parë për muajin shtator dhe kështu do të vazhdojë edhe tutje”, ka thënë Abazi.
Në fakt, refuzimi për të mos mbajtur konferencën ku organizatore është zyra për informim e komunës, nuk është ndonjë risi, pasi PDK-ja, veç herën e parë iu kishte përgjigjur pozitivisht, dhe në krejt rastet tjera të mëpastajshme, nuk kishte marrë pjesë, por komunikimin me gazetarë e kishte bërë nga selia e saj.
“Në konferencën e parë, ne kemi marrë pjesë, në tjerat jo. Në të parën e kemi respektua iniciativën me qëllim të mirë dhe me idenë që kjo punë do të avancon me debate ndërmjet shefave të grupeve, përndryshe vetëm konferenca ka mundësi ta humbin kuptimin për shkak se të tilla konferenca partitë i organizojnë edhe në selite e tyre”, sqaron Abazi i PDK-së.
Përndryshe, të hënën, më 19.09.2016 konferencën e parë në këtë vazhdë, e mban Avdyl Aliu (LDK), Konferenca mbahet në sallën e Kuvendit Komunal, nga ora 11:00. Ndërsa, nëse i referohemi herëve të tjera, do të pasojnë më pas edhe konferencat me shefat apo përfaqësuesit e grupimeve tjera në Kuvend si me ata të AAK-së, Vetëvendosjes, për të përfunduar me kryesuesen e Kuvendit Komunal. /2L ONLINE/