Është nënshkruar sot marrëveshja e bashkëpunimit në mes të komunës së Vitisë dhe përfaqësueseve të shoqatave të grave të kësaj komune, për shfrytëzimin e 13 shtandeve, të cilat janë ndërtuar vite më parë në kuadër të një projekti të përbashkët mes UNDP-së dhe komunës së Vitisë, në sheshin Calmy Ray.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka falënderuar gratë sipërmarrëse për angazhimin dhe bashkëpunimin, poashtu ka shprehur gatishmërinë për përkrahje të vazhdueshme në promovimin e punës dhe produkteve të tyre.
Në bazë të kësaj marrëveshje, përfituese janë 13 gra sipërmarrëse, të cilat do t’i shfrytëzojnë këto shtande për promovimin dhe ekspozimin e produkteve të tyre bujqësore dhe artizanale.
Kjo marrëveshje e nënshkruar sot, është për periudhë njëvjeçare.
Ndërtimi i këtyre shtëpizave, ka për qëllim zbutjen e papunësisë përmes ndërmarrjeve të vogla, si dhe synon arritjen e progresit në punësim, dhe mbështetje të ndërmarrjeve të vogla që veprojnë në komunën e Vitisë. /2LONLINE/