DYLON

U hap Manifestimi tradicional kulturor e sportiv “Flakadani i Karadakut 2022”

U hap Manifestimi tradicional kulturor e sportiv “Flakadani i Karadakut 2022”
Avatar photo Redaksia

Me një manifestim solemn, kanë nisur mbrëmë aktivitetet një javore të Flakadanit të Karadakut, që i kushtohen dëshmorit të kombit Nijazi Azemi-Komandant Mjekrra.

Të pranishëm të këtë tubim, ishin përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, kryetari i komunës së Bujanovcit Nagip Arifi, kryetarja e Presheves Ardita Sinani, përfaqësues të ish-UÇPMB-së Mustaf Shaqiri, Shefqet Musliu e musafirë të tjera nga mbarë hapësirat shqiptare.

EkoHigjiena

Manifestimin e sivjetmë të Flakadanit, i shpalli të hapur kryetari i komunës së Vitisë,Sokol Haliti, nën përkujdesjen e së cilit edhe mbahet ky manifestim.

Në fjalën e tij, kryetari Haliti tha se është emocion i vërtet por në të njejtën kohë edhe krenari, sa herë gjendemi në sheshin e qytetit Nijazi Azemi dhe pranë shtatores së komandant Mjekrrës, sepse na kujton shumë ngjarje historike e të lavdisë që na sjell marsi.

“Na kujton marsin e lavdisë së familjes Jashari në Prekaz, demonstratat gjithë popullore të 81-shit, e po ashtu na kujton betejën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ku në atë betejë ra për të mos vdekur kurr, Njazi Azemi-komandant Mjekrra. Jemi sot së bashku, që të bëjmë hapjen solemne të Manifestimit tradicional Flakadanit të Karadakut, që këtë vit shënon jubileun e veprimtarisë kulturore, artistike e sportive. Ky rrugëtim 20 vjeçar i veprimtarisë së Flakadanit, ku për gjatë këtyre viteve, arriti suksesshëm të degëzohet në gjitha trevat ku flitet shqip e të bashkoj artistët e sportistët nga të gjitha trojet shqiptare. Andaj, shfrytëzoj rastin që të shpreh falënderimet më të përzemërta për të gjithë ata që kontribuuan në mbarëvajtjen e manifestimit gjatë këtij rrugëtimi, e po ashtu mirënjohje të pafundme gjithë grupeve artistike, poetëve e shkrimtarëve, ansambleve e shoqërive dhe sportistëve, që e kanë madhështuar manifestimin me pjesëmarrjen e tyre. “Manifestimi tradicional gjithëkombëtar Kulturor e sportivë “Flakadani i Karadakut”, që personifikon figurën e dëshmorit të kombit Njazi Azemi –komandant Mjekrra, është një nga ngjarjet më kulmore në komunën e Vitisë”, ka thënë Haliti.

 Për ngjarjet kulturore e sportive që pritet të zhvillohen gjatë kësaj jave të Flakadanit, foli drejtori i Drejtorisë për Kulturë Rini e Sport Valmir Sahiti.

Ai mes tjerash ka theksuar se përmes këtyre aktiviteteve, po arrijnë që edhe në këtë vit jubilar, të grumbullojnë artistë, solistë, valltar e sportistë nga gjitha trevat shqiptare, në Vitinë e Nijazi Azemit që gjithandej njihet si komandant Mjekrra.

Për veprimtarinë e dëshmorit Nijazi Azemi, foli kryetari i OVL të UÇK-së dega në Viti Abdyl Bajrami , që ndër tjerash tha se “Flakadani i Karadakut, pos që na përkujton historinë e lavdishme të luftës së UÇPMB-së, po na mundëson të takohemi e të njoftohemi me njerëzit e të gjitha profileve e nga të gjitha trojet shqiptare.

 “Ky manifestim i madh multi-kulturor i kushtohet një ndër fytyrave më markante në fillim të këtij shekulli, të historisë më të re të kombit shqiptar, heroit Nijazi Azemi. Nijaziu si ushtar besnik i komandantit legjendar te UÇK-së Adem Jasharit, e vazhdoi luftën për çlirimin e trojeve shqiptare edhe pas çlirimit të Kosovës. Komandant “ Mjekrra “ kaloi në përjetësi në luftë për çlirimin Kosovës Lindore në malësi të Karadakut në fshatin Stanec të komunës së Preshevës. Ra për të mos vdekur kurrë, sepse atë e bënë të pavdekshëm heroizmi dhe vepra e tij për liri të trojeve shqiptare”, ka thënë Bajrami.

Manifestimi ka vazhduar me ndezjen e flakadanit të cilin e ndezën Ramush Azemi-babai i dëshmorit Nijazi Azemi, kryetari i komunës Sokol Haliti, kryetarja e Preshevës Ardita Sinani, kryetari i Bujanovcit Nagip Arifi, ish-komandanti i UÇPMB-së Shefqet Musliu, Drilon Ibrahimi pjesëmarrës i lojërave olimpike në Tokyo, e Patriot Osmani artist dhe fitues i shumë çmimeve në festivale vendore e ndërkombëtare.

Ndërsa në pjesën artistike, me këngë për dëshmorin Nijazi Azemi u prezantuan këngëtarët e mirënjohur Merita Sahiti, Ismet Behxheti dhe Fahrush Azemi.

 Manifestimi Flakadani i Karadakut, vazhdon sot me 22 mars me garat e recituesve për nxënësit e shkollave të mesme të rajonit, ndërsa nesër mbahet Ora e madhe letrare. Ndërkohë më 24 deri më 26 mars, do të mbahet Festivali i Ansambleve dhe Shoqërive Kulturo Artistike. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.