Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe drejtoresha e Kadastrit, Majlinda Ostrogllava, kanë pritur sot në takim Jennifer Ober – Drejtoreshë e Aktivitetit të Qeverisjes së Pronës, nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Me këtë rast ata kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi në lidhje me zbatimin e përbashkët të Aktivitetit Qeverisja e Pronës, që ka si qëllim të bashkëpunojë me Komunën për përmirësimin e sistemit për të drejtat pronësore në Kosovë, në mënyrë që të ulet korrupsioni, të rritet fuqizimi i grave, si dhe të përmirësohen të drejtat formale pronësore dhe investimet në patundshmëri.
Në partneritet me shoqërinë civile, sektorin privat dhe akterë të tjerë lokalë, Aktiviteti do të kontribuojë në avancimin e zhvillimit të udhëhequr nga niveli lokal dhe, do të përqendrohet në forcimin e sistemit për të drejtat pronësore, duke i përmirësuar proceset e Zyrës Kadastrale Komunale (ZKK) në ofrimin e shërbimeve që i duhen qytetarëve, për formalizim dhe regjistrim të të drejtave të tyre.
Ky memorandum zbatohet nga Tetra Tech ARD, Inc., ndërsa financohet nga USAID-i dhe Komuna e Vitisë. /2LONLINE/