Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, përmes një postimi në profilin e tij, në facebook, ka bërë të ditur se do të marr vendim për mos aplikimin e përdorimit të Doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” për nivelet 1-5, 6-9 dhe 10-12 në shkollat e Komunës së Vitisë.
“Ky vendim do të merret pasi kemi shqyrtuar përmbajtjen e këtyre udhëzimeve dhe shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e Komunës dhe nga prindërit, lidhur me përshtatshmërinë e aktiviteteve dhe materialeve të propozuara. Ne besojmë se përmbajtja e këtyre doracakëve nuk është e përshtatshme për fëmijët dhe nxënësit tanë dhe mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e tyre të shëndetshëm”, ka thënë Haliti.
I pari i Komunës ka vlerësuar se kjo është një masë që do të ndërmerret me qëllim mbrojtjen e interesave dhe mirëqenies së nxënësve tanë, si dhe për të siguruar që edukimi të jetë në përputhje me vlerat dhe normat tona. /2LONLINE/