Organizuar nga kuvendi komunal i Vitisë në bashkëpunim me Drejtorinë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim me Publikun, sot në komunën e Vitisë, ka filluar cikli i diskutimeve publike për planifikimin e buxhetit komunal për vitet 2022-2024.
Diskutimi i parë është mbajtur sot në qytetin e Vitisë, me gjininë femërore dhe është hapur nga Xhilsime Qamili, kryetare e qytetit të Vitisë. Përfaqësuesit komunal nga afër i kanë njoftuar pranishmit me procesin e planifikimit buxhetor.
Zv.kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu tha se qeverisja komunale në Viti, vazhdimisht ka bërë përpjekje të vlerësoj dhe të marrë për bazë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve dhe të kategorive të ndryshme të shoqërisë e në veçanti edhe të gjinisë femërore.
Ai shtoi se ata do t’i shqyrtojnë kërkesat dhe sugjerimet e marra dhe do t’i shikojnë mundësit e përfshirjes së tyre në buxhetin final.
Kurse Ibrahim Rama, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, tha se krahasuar me buxhetin e këtij viti buxheti komunal i Vitisë për vitin 2022 do të jetë më i madh për 578.809€ ose 4.63%.
Sipas tij buxheti komunal për vitin 2022 do të ndahen sipas kësaj kategorie ekonomike: paga dhe mëditje 7.618.308€, mallra dhe shërbime 2.092.704€, shpenzime komunale 320.000€, subvencione dhe transfere 360.000€ dhe shpenzimet kapitale 2.678.486€ kurse buxhetit total për vitin 2022 parashihet të jetë 13.069.495€.
Ndërsa në fund të këtij takimi pjesëmarrësit patën disa kërkesa dhe sugjerime si: të shtohet numri i përfituesve të bursave pa dallime në cilat drejtime, të parashtrohet një kërkesë në nivelin qendror që të ketë një kod të veçantë buxhetor për mbështetjen e viktimave të dhunës në familje, të zgjerohet kapacitet e çerdhes në qytetin e Vitisë ose të ndërtohet një çerdhe e re, të shtohet numri i psikologëve në shkolla, të ndërtohet një fabrikë ku punësohen vetëm gratë dhe të tjerë. /2LONLINE.com/