Komuna e Kamenicës së bashku me KFOR-in turk nënshkruajnë marrëveshje për renovimin të Institucionit Parashkollor “Filizat”.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, si dhe Zyrtarin Autorizues në Drejtorinë Komunale të Arsimit, Drilon Ramabaja, kanë pritur në takim përfaqësues të KFOR-it turk.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, u shpreh i lumtur për renovimin e hapësirave të Institucionit Parafillor “Filizat”.
“Tejet i lumtur që bashkërisht me KFOR-in Turk , nënshkruam marrëveshjen për renovimin e Institucionit Parafillor “Filizat”. Në vlerë prej rreth 56 mijë eurosh, hapësirat e këtij institucioni do të marrin pamje krejtësisht të re, duke u ofruar kushte më të mira të vegjëlve tanë. Si komunë këtë projekt e kemi mbështetur me mbi 27 mijë euro, kurse pjesën tjetër do e financoj Presidenca e Republikës së Turqisë – Delegacioni i përfaqësuesit Turk i Kosovës”, u shpreh ai.
Duke falënderuar të gjithë për angazhimim, Kastrati shtoi se prioritet i kësaj qeverisje është krijimi i kushteve më të mira për edukim.
“Tejet krenar që fëmijëve tanë po u krijojmë kushte më të mira, duke filluar nga edukimi i hershëm. Ky është prioritet i ynë! Falënderoj drejtoreshën Suna Zaimi Krasniqi për angazhimin, DKA-në për punën e vazhdueshme dhe Turqinë për mbështetjen”, shtoi Kastrati.
Ndërsa drejtoresha Suna Zajmi-Krasniqi duke falënderuar KFOR-in turk për ndihmën, tha se me këtë bashkëfinancim me KFOR-in turk do të krijohen kushte më të mira për të vegjëlit.
Gjithashtu edhe zyrtari nga DKA, Drilon Ramabaja, tha se renovimi i çerdhes do të thotë krijim i kushteve më të mira në institucionet shkollore, e që të lehtësohet puna e stafit për mësimnxënie sa më të mirë tek fëmijët.
.Projekti ‘’Renovimi i çerdhës së Kamenicës” ka vlerën afër 56 mijë euro për mirëmbajtjen dhe Riparimin e ndërtesës, që do të financohet nga Presidenca e Republikës së Tuqisë- Delegacioni i përfaqësuesit Turk i Kosovës.
Komuna do të financoj me shumën mbi 27 mijë euro, ndërsa delegacioni i përfaqësuesit Turk në Kosovë afër 28 mijë euro. /2LONLINE.com/