Është mbajtur punëtoria për hartimin e Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal 2024- 2031 e Komunës së Gjilanit.
Enver Shabani, drejtor për Zhvillim Ekonomik, tha se me hartimin e Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal 2024- 2031 po shënojnë një hap vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm komunal.
“Strategjia e Zhvillimit Lokal, është një dokument themelor për rritjen ekonomike dhe zhvillimin afatgjatë të komunës sonë”, tha drejtori Shabani.
Sipas tij kjo strategji synon të adresojë sfidat kryesore që kanë, të krijojë mundësi të reja për investime dhe të sigurojë mirëqenie për të gjithë qytetarët e komunës.
Alban Hyseni, kryetar i Komunës së Gjilanit, tha se hartimi i kësaj strategjie ka rëndësi të madhe për Komunën e Gjilanit, e cila tashmë është renditur e katërta me numrin e banorëve.
“E rëndësishme është po ashtu se jemi komunë në që kufizohemi me Kosovën Lindore e Maqedoninë e Veriut. Ky dokument bazohet në nevojat reale ku dhe projeksioni ka shumë rëndësi”, tha Hyseni.
Fetije Begolli, drejtoreshë e departamentit për Zhvillim të Qëndrueshëm Komunal në MAPL, tha se ky dokument është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi dhe programin kombëtar të Qeverisë për Zhvillimin Ekonomik Lokal”.
Sipas saj programi i Qeverisë së Kosovës obligon komunat që të hartojnë strategjitë e zhvillimit ekonomik lokal deri në fund të këtij viti.
Ajo shtoi se Komuna e Gjilanit, është në rrugë të mbarë.
Igli Totozani, drejtor i zyrës rajonale të OSBE-së në Gjilan, tha se po e mbështesin hartimin e Strategjisë për Zhvillimin Ekonomik Lokal deri në finalizimin e këtij dokumenti.
Nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, tha se hartimi i kësaj strategjie do të ndihmoj në zhvillimin ekonomik të komunës.
Sipas saj kjo strategji po bëhet në harmoni me dokumentin e programit kombëtar për Zhvillimin Ekonomik Lokal 2030.
Më pas u bë prezantimi dhe analiza e të gjitha të dhënave që ka Komuna e Gjilanit, nga zyrtari i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunës së Gjilanit Fadil Osmani. /2LONLINE/