(2L ONLINE) – Pas partneritetit të suksesshëm me GIZ-in gjerman, Komisionin Europian dhe qeverinë zvicerane, Komuna e Gjilanit po vazhdon me sukses partneritetin edhe me USAID-in amerikan. Partneriteti mes Komunës së Gjilanit dhe USAID-it i është konfirmuar sot kryetarit Lutfi Haziri, në takimin që pati me drejtorin e programit “Avancojmë Kosovën së Bashku” Reginald E. Todd, dhe përfaqësues të tjerë nga USAID.
Kryetari Haziri ka falënderuar përfaqësuesit e USAID-it për mbështetjen, ndërsa u ka kërkuar ndihmë edhe në projekte infrastrukturore për ta zhvilluar Gjilanin, që është parësore e qeverisjes së tij.
Programi “Avancojmë Kosovën së Bashku” i USAID-it ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe ndërveoprimit konstruktiv ndëretnik, në radhë të parë në mes të popullatës shumicë shqiptare të Kosovës dhe asaj jo-shumicë serbe të Kosovës, që konsiderohet të jetë i rëndësisë vitale për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit.
Në veçanti, programi do të veprojë në drejtim të përmirësimit të kushteve të cilat do t’u mundësojnë serbëve të Kosovës dhe minoriteteve tjera etnike angazhim aktiv në fuqinë e punës dhe në institucionet e Qeverisë së Kosovës duke ruajtur dhe mbrojtur në të njejtën kohë trashëgimininë e tyre kulturore. /2L ONLINE/