(2L ONLINE) – Në organizim të OJQ “Lansdoëne”, të martën në Gjilan është mbajtur tryeza me temën “Marrëdhëniet në mes të grupeve të ndryshme minoritare” ku ka marrë pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku – Rexhepi, përfaqësues të shoqërisë civile, OSBE-së, komuniteteve. Pikë diskutimi ishte gjendja në të cilën janë sot minoritetet në Gjilan, duke nisur nga lëvizja e lirë, çështjet sociale, integrimi dhe ri–integrimi e deri te punësimi.
Me këtë rast Shaban Terziu, udhëheqës i Organizatës, ka thënë se qëllim i këtij takimi është zhvillimi i iniciativës së përbashkët të grupeve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në rajonin e Gjilanit, për të përmirësuar edhe më shumë raportet ndërmjet vete, përmes takimeve të ndryshme, gjithë përfshirjes nëpër organizime të ndryshme kulturore, sportive etj, e deri te aspekti i punësimit dhe të bërit biznes.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, e cila e ka përshëndetur këtë organizim, ka thënë se takimet e tilla janë të dobishme për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve me komunitetet. Ajo ka nënvizuar faktin se Komuna e Gjilanit është një shembull i mirë sa i përket trajtimit të komuniteteve, duke rikujtuar se ato përfaqësohen meritueshëm në vendimmarrje lokale.
“Për të përmirësuar komunikimin në gjuhët zyrtare, si shenjë e respektimit të diversitetit kulturor e gjuhësor, ne kemi aftësuar mbi njëzet shërbyes civilë për komunikim në gjuhët shqipe e serbe, në mënyrë që ata të mos kenë barriera për t`iu shërbyer palëve”, ka thënë Bunjaku.
Po ashtu, Komuna e Gjilanit e ka futur si gjuhë në përdorim zyrtar edhe turqishten, për të respektuar komunitetin turk që jeton në këtë mjedis. Të gjitha komuniteteve në Gjilan u garantohet e drejta e shkollimit në gjuhët amtare. Komunitetet në Gjilan nuk flasin më sigurinë dhe as problemet tjera ndëretnike, por të gjithë së bashku flasin për punësim, zhvillim dhe perspektivë evropiane, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.
Ndërsa Naim Gashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka bërë prezantimin për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Komunën e Gjilanit.
“Qëllim i kësaj tryeze është nxitja e dialogut ndërmjet grupeve të ndryshme etnike në rajonin e Gjilanit dhe në komunat përreth. Promovimi i një qasjeje gjithëpërfshirëse në proceset vendimmarrëse në nivelin lokal, sipas parimeve evropiane. Kontributin në promovimin kulturor, partneritet civil – publik në nivelin lokal, ngritje të kapaciteteve, respektim të të drejtave kulturore të të gjitha komuniteteve, realizim të projekteve të përbashkëta etj”, ka thënë prof. Gashi ndër të tjerash.
Ndërsa me kontributin e tyre janë paraqitur edhe Fazli Abdullahu, Isa Shefkiu, Nexhat Ismajli të cilët kanë kërkuar që të edhe më shumë të punohet në këtë drejtim, kryesisht për aspektin e gjithëpërfshirjes si në sektorin publik ashtu edhe në iniciativat për zhvillim të biznesit por edhe aspektin e pjesëmarrjes së përbashkët në aktivitete të ndryshme kulturore, sportive apo aktivitete të tjera, duke potencuar me theks të veçantë se Gjilani është Komuna e parë në nivel vendi për kushtet e krijuara për komunitetet pakicë.
E në anën tjetër Halit Rexhepi e Hevzi Matoshi, i kanë dhënë mbështetje komuniteteve pakicë që të marrin iniciativën për zhvillim, duke rikujtuar se Komuna si institucion ka krijuar kushtet për të gjitha komunitetet pakicë, duke nisur nga aspekti ligjor, e deri edhe tek aspekti arsimor, kulturor, integrimi në shoqëri, lirinë e lëvizjes, dhe normal edhe përfaqësimin në Komunën e Gjilanit.
Ata kanë konfirmuar se bashkëpunimi me komunitetin serb, romë, turq dhe të tjerë është në nivel mjaft të mirë në të gjitha fushat. /2L ONLINE/