Komiteti për Politikë dhe Financa ka mbajtur sot mbledhjen e nëntë të rregullt. Gjatë kësaj mbledhje është diskutuar dhe votuar për pika të ndryshme të rendit të ditës. Megjithatë më së shumti është diskutuar mbi Draft Buxhetin e vitit 2019-2021 i cili më pas është votuar me shumicë votash.
Në fillim të kësaj mbledhje Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira i njoftoi anëtarët e këtij komiteti mbi vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të marrë nga seanca e fundit të Kuvendit Komunal.
Ibrahim Rama, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim prezantoi gjatë kësaj mbledhje buxhetin komunal 2019-2021. Ai tha se kjo komunë ka mbajtur 25 diskutime publike për planifikimin e buxhetit komunal, konkretisht të listës për investime kapitale me qytetarët e kësaj komune.
Drejtori Rama tha se buxheti i komunës së Vitisë për vitin 2019 do të jetë gjithsej 11.345.554€ . Sipas draft buxhetit komunal 2019-2021 ky buxhet komunal do të ndahet në këtë formë: paga e mëditje 7.309.561€, mallra e shërbime 1.481.703€, shpenzime komunale 221.000€, subvencionime e transfere 210.000€ si dhe shpenzime kapitale 2.123.287€.
Megjithatë u bë me dije se buxheti komunal i Vitisë do të shënoj rritje në vitin 2019 prej 2.73%.
Ndërkaq Hasan Alliu, zv. kryetar i komunës së Vitisë, tha se kjo komunë është munduar të bëjë një planifikim të drejtë të buxhetit komunal dhe për këtë tha se kanë marrë opinionet e banorëve të lokaliteteve të ndryshme të kësaj komune.
Kurse anëtarët e KPF-së nga partitë opozitare paraqitën vërejtjet dhe sugjerimet e tyre mbi draft buxhetin.
Megjithatë me shumicë votash është votuar buxheti i komunës së Vitisë për vitin 2019-2021.
Gjithashtu gjatë kësaj mbledhje është diskutuar dhe votuar me shumicë votash edhe: Propozim Rregullore për Taksa, Ngarkesa dhe Gjoba, propozim Vendim për aprovimin e Planit të Punës të Kuvendit Komunal të Vitisë për vitin 2019, propozim Vendim për inicimin e proceduarave për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale- Parkingjet në qytetin e Vitisë.
Gjithashtu është dhënë edhe një informatë për fillimin e vitit shkollor 2018/2019.