(2L ONLINE) – Komiteti për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim (KSHPMSH), në takimin e të premtes, të drejtuar nga Isa Agushi, kryesues, ka miratuar Raportin e punës së Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, është njoftuar për punën e kësaj drejtorie si dhe të Drejtorisë për Shërbime Publike, përfshirë edhe kërkesat e qytetarëve.
Halit Rexhepi, drejtor për MSH, ka thënë se plani i punës përmban pikat kryesore ku do të jetë e angazhuar DMSH, përfshirë edhe Njësinë e Zjarrfikësve si dhe Shërbimin e Preventivës.
Rexhepi u zotua se DMSH do t`i përmbush detyrat e planifikuara, sikurse do të jetë e gatshme të përballet edhe me situatat e paplanifikuara, brenda mundësive dhe kapaciteteve humane e teknike që posedon.
Sa i përket interesimit të anëtares së KSHPMSH, Mizafere Ismajli, rreth gjendjes teknike të pajisjeve për mbrojtje nga zjarri, nëpër institucione publike, Rexhepi ka thënë se të gjitha pajiset testohen me rregull dhe po ashtu jepen edhe rekomandimet përkatëse, duke shtuar se janë gjetur edhe mangësi.
Rexhepi tha se duhet të ndalohet përdorimi i pajisjeve elektrike dhe bombolave të gazit për zierjen e kafes ose çajit nëpër objektet shtetërore dhe publike, sepse ato paraqesin rrezik të përhershëm për shpërthimin e ndonjë zjarri.
Rexhepi është përgjigjur edhe në pyetjet e anëtarëve tjerë të KSHPMM, Burhan Selmani, Ramadan Ajvazi e Rashit Ymeri, që kishin të bënin kryesisht me gjendjen e pajisjeve kundër zjarrit.
Ilir Tahiri, zyrtar për mbrojtje nga zjarri, ka thënë se rastet e deritashme kanë treguar se përdorimi i pakujdesshëm i disa pajisjeve shtëpiake, është ndër shkaktarët më të shpeshtë të shpërthimit të zjarreve nëpër objektet private, prandaj ka sugjeruar përgatitjen e një broshure informuese për qytetarë, se si duhet t`i përdorin këto pajisje.
Ndërkaq, Sokol Haziri, drejtor i Shërbimeve Publike e ka informuar KSHPMM me punët që po kryhen, duke thënë se aktualisht janë duke u rregulluar rrugicat përbrenda varrezave të qytetit, ku do të bëhen edhe dy çezma me ujë, për nevojat e qytetarëve. “Pamja e varrezave tregon kulturën e një populli”, ka thënë Haziri.
Sa i përket shërbimeve të varrimit, të cilat i heq Komuna për qytetarët, ai ka thënë se ky shërbim ofrohet për të gjithë, por ka nënvizuar faktin se përfaqësuesi i kishës ortodokse nuk ka shprehur interesim dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë kërkesë për shërbimet e varrimit nga ky komunitet.
Edhe Halit Rexhepi (DMSH) tha se përfaqësuesi i kishës ortodokse serbe nuk iu është përgjigjur as atyre për të marrë pjesë në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, ku përfaqësohen të gjitha komunitetet dhe besimet, edhe pse i jemi drejtuar me shkrim.
Haziri e ka paraqitur edhe një kërkesë të qytetarëve të rrugës “Shyt Mareci” për rregullimin e kanalizimit dhe ujësjellësit dhe ka kërkuar mbështetjen e Komitetit, duke thënë se bëhet fjalë për një projekt që nuk ka ndonjë kosto të madhe buxhetore, por që është me shumë interes për komunitetin e asaj lagje.
Isa Agushi, kryesues i KSHMM, ka thënë se kërkesa meriton përkrahje, ndërkaq ai e ka ngritur si shqetësim të qytetarëve të Zhegrës, një lokalitet ky me rreth 20 mijë banorë, mungesën një trotuari.
Jeta e qytetarëve e sidomos e fëmijëve, të cilët duhet të lëvizin përgjatë rrugës, shkaku i mungesë së kësaj hapësire të destinuar për këmbësorë, është e rrezikuar në mënyrë të përhershme, ka thënë Agushi dhe ka kërkuar nga DSHP që kjo kërkesë të shqyrtohet seriozisht.
Sokol Haziri, drejtor për Shërbime Publike, ka thënë se është në dijeni që ndërtimi i trotuarit në Zhegër, është prioritet në Zyrën e projekteve, me mundësi vazhdimi deri në Lladovë dhe si drejtori i ka dhënë mbështetje kësaj kërkese.
Isa Shefkiu, monitorues nga shoqëria civile, tha se Komitetet duhet të bëjnë rekomandime konkrete për Kuvendin Komunal dhe pas një periudhe të caktuar kohore, të rishikojnë zbatimin e rekomandimeve të tyre /2L ONLINE/