Anëtarët e Komitetit për Politikë e Financa, të kryesuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira, kanë mbajtur sot mbledhjen e gjashtë të radhës, në të cilën janë shqyrtuar një varg pikash të parapara për këtë mbledhje, ndër të cilat edhe ajo e projekt buxhetit të komunës së Vitisë për vitin 2021-2023.
Lidhur me këtë pikë, drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Ibrahim Rama, ka paraqitur propozim vendimin e projekt buxhetit, i cili sipas tij është hartuar me një arsyetim të plotë në bazë të parametrave dhe nevojave të paraqitura si prioritare.
Sipas këtij projeksioni, buxheti i vitit 2021 do të jetë 12.490.686 euro. Shuma e grantit qeveritar është 11,629,436 euro, të hyrat vetanake 861,250 euro.
Buxheti i komunës së Vitisë si tërësi, ka shënuar rritje të buxhetit në vitin 2021 prej 185,195 euro apo, për 1.5%, nga ai i këtij viti, tha drejtori Rama.
Anëtarët e KPF-së nga opozita, paraqiten vërejtje se në këtë projekt buxhet nuk i është dhënë hapsirë të mjaftueshme investimeve në ujë të pijshëm, ndërkaq kanë kërkuar që të investohet më shumë në shëndetësi e arsim, salla sportive nëpër shkolla, si dhe të definohen projektet më në detaje. Kjo pikë u aprovua që të procedohet në kuvend.
Gjithashtu, u miratuan për procedim në seancën e Kuvendit edhe propozim rregullorja për taksa, ngarkesa dhe gjoba për vitin 2021, propozim vendimi për caktimin e normave tatimore në pronën e paluajtshme për vitin 2021, propozim vendimi për themelimin e vendgjuetisë së përbashkët në komunës së Vitisë, propozim vendimi për shfuqizimin e vendimit nr.01-110/05-764 për plotësim ndryshim e vendimit Nr.01-110/05-370, të datës. 08.05.2020 për caktimin e lokacionit për ndërtimin e ambulancës shëndetësore në Tërpezë, propozim vendimi për shfuqizimin e vendimit Nr.01-110/05-546 për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale NPSH Arena Sport në Kabash, propozim vendimi për shfuqizimin e vendimit për krijimin e qasjes së parcelës Nr. 3760-0, në rrugën publike me nr.2592-11, përmes parcelës me nr.2582-6 dhe nr.2582-8.
Poashtu u miratua edhe pika për planin e punës së Kuvendit Komunal të Vitisë për vitin 2021, si dhe propozim vendimii për lirimin e znj. Hazire Gjela, anëtare e Komiteti për Komunitete ne Komunën e Vitisë.
Seanca e Kuvendit komunal, e gjashta me radhë, do tëmbahet të mërkurën e ardhshme me 30 shtator. /2LONLINE.com/