(2L ONLINE) – Komiteti për Kulturë, Rini, sport dhe çështje gjinore, të udhëhequr nga kryesuesja Shpresa Kurteshi, ka mbajtur sot mbledhjen e saj të rregullt ku ka shqyrtuar kërkesën e Ars Clubit “Beqir Musliu” për financimin e botimit të dorëshkrimeve të poetit Beqir Musliu, kërkesën e qendrës së pavarur kulturore për anaforave për organizimin e festivalit ndërkombëtar të folklorit “Gjilani 2015”, poashtu është dhënë edhe një informatë nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal.
Me këtë rast kryesuesja Shpresa Kurteshi, ka thënë se botimi i librit me dorëshkrime të autorit Beqir Musliu, i bënë nder Komunës së Gjilanit sepse ai ishte njeriu i letrave që ka tejkaluar kufijtë, jo vetëm të Gjilanit dhe Anamoravës por edhe të Kosovës.
“Në aspektin buxhetor botimi i kësaj vepre, ndoshta mund të jetë rëndues për Njësinë për kulturë, por në aspektin e relevancës, është një financim i meritueshëm për atë që ka dhënë Beqir Musliu për Gjilanin, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Kjo i bënë nder Gjilanit dhe gjithë shqiptarëve. Ato dorëshkrime do të ishin një pasuri kulturore e letërsisë në përgjithësi. Shpresojmë që këtë botim ta mbështes edhe ministria e kulturës, sepse është interes edhe shtetëror. Ndërsa, sa i përket kërkesës për organizimin e festivalit ndërkombëtar të folklorit “Gjilani 2015”, që planifikohet të mbahet në ditën e çlirimit të Gjilanit, kjo është një shumë e madhe dhe shpenzim i cili do ta vështirësoj jashtëzakonisht funksionimin e njësisë për kulturë, rini dhe sport, sepse në disa kode të cilat janë paraqitur në këtë projekt ka vlera të cilat janë rënduese për buxhetin e Komunës”, tha Kurteshi.
Ndërsa udhëheqësi i Njësisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Bujar Haziri, ka sqaruar këto kërkesa duke spikatur që botimi i veprës me dorëshkrime të Beqir Musliut do të bëhet në disa faza, ku fazën e fundit, parashihet që ta financoj MKRS-ja, ndërsa vlera e përgjithshme e planifikuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, për këtë projekt, kap shumën 14 500 euro.
Ndërsa, për projektin e dytë të festivalit folklorik, Haziri ka thënë se kjo është një shumë e cila është rënduese për buxhetin e njësisë, (aty në atë projekt parashihet një vlerë prej 22 250 euro) sepse gjendja buxhetore në të cilën është Gjilani është shumë e kufizuar. Ai ka propozuar që këto dy kërkesa të rekomandohen për në Komitetin për Politikë dhe Financa, me qëllim që atje të merret qëndrim lidhur me rekomandimin për financim që do t’i paraqitet Kuvendit në seancën e radhës.
Haziri, ka propozuar që për ditën e çlirimit të Gjilanit, të formohet një grup ku do të përfshiheshin anëtar nga kultura në përgjithësi, për shënimin e ditës së çlirimit, e që do t’i kushtoj buxhetit shumë më pak se kaq.
Anëtarët e komitetit në mënyrë unanime i kanë rekomanduar për në KPF këto dy kërkesa, me vërejtjet e paraqitura, për të parë mundësinë buxhetore, por edhe për të zvogëluar atë në raport me gjendjen në të cilën është Gjilani.
Ndryshe, në këtë komitet është dhënë një informatë për punën një vjeçare që është bërë nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal për vitin 2014 dhe planin e veprimit për vitin 2015. Ndërsa, Malazog Hoxha ka kërkuar që të ndërmerren veprime konkrete për renovimin e lapidarit në fshatin Cërnicë që tashmë është degraduar në masë të madhe dhe kërkohet intervenim i menjëhershëm. /2L ONLINE/