Presidenti i Komitetit Botëror të Paqes, Dr. Djuyoto Suntani, me seli në Indonezi, ka shpallur kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me Çmimin e Paqes në Kosovë, duke e vlerësuar në kuadër të personaliteteve të fuqishme botërore që janë kontribues të vazhdueshëm të paqes dhe stabilitetit rajonal.
Çmimin ia ka dorëzuar ambasadori i Komitetit Botëror të Paqes në Republikën e Kosovës, dr. Rabit Sadiku.
Në këtë Çmim / Dekoratë mes tjerash thuhet:
“Në emër të Komitetit Botëror të Paqes, dëshiroj t’u përgëzoj juve, familjen tuaj të shkëlqyeshme, stafin dhe tërë komunitetin e Gjilanit, të shoqëruar me lutjet që përsosmëria juaj gjithmonë të ketë sukses në udhëheqjen e qytetit të Gjilanit dhe shtetit të Kosovës, çka jam shumë i bindur se jeni në gjendje të krijoni klimë për paqe në Ballkan”.
“Në emër të bashkësisë ndërkombëtare prej 202 shtetesh, si president i Komitetit Botëror të Paqes, kemi vendosur që t’ju nderojmë me titullin e nderit, shkëlqësinë tuaj si: “Figurë Paqësore në Kosovë”, për luftën dhe punën e madhe që keni bërë deri më tani në arritjen e paqes”.
Kryetari Haziri ka paralajmëruar se presidenti i Komitetit Botëror të Paqes do ta vizitoj Gjilanin gjatë kësaj vere dhe qëllimi është thellimi i bashkëpunimit edhe në fusha të tjera.