Sot, Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, drejtuar nga Haki Abazi, kryetar, priti në takim Komisionin për Integrimin Evropian nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Me këtë rast, kryetari Abazi shprehu falënderimet për përfaqësuesit nga komisioni homolog lidhur me vizitën e tyre zhvilluar në vendin tonë, si dhe mirënjohjet për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës.
Tutje, kryetari Abazi para delegacionit shqiptar foli lidhur me procesin e integrimit të Kosovës në NATO dhe BE, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Po ashtu ai foli edhe për procesin e dialogut dhe rrethanat e krijuara, duke kërkuar nga delegacioni i homolog që të vazhdojë mbështetjen ndaj Kosovës edhe në këtë fazë.
Nga ana e Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Shqipërisë, Jorida Tabaku, kryetare, duke ofruar mbështetjen, për proceset në Kosovë, përmendi arritjet e saj në fushën e diplomacisë dhe të dialogut.
Tabaku theksoi se duhet shfrytëzuar momentin për një koordinim më të madh, në mënyrë që të arrihen objektivat maksimale lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Në këtë takim me diskutimet e tyre kontribuuan edhe deputetë tjerë nga Kosova e Shqipëria, të cilët njëzëri theksuan se do të thellojnë bashkëpunimin në mes dy kuvendeve dhe do të punojnë bashkë në çështje konkrete. /2LONLINE/