Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, kryesuar nga kryetari Adnan Rrustemi, kryetar, mbajti sot një takim të përbashkët me Malcolm Simons, ish- kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovë.
Takimi mes anëtarëve të Komisionit për Legjislacion dhe ish gjyqtarit Simons u mbajt në mënyrë virtuale nëpërmes videolinkut.
Arsyeja e këtij takimi është kërkesa e z. Simons për të prezantuar fakte të pretenduara nga ai, lidhur me punën e misionit evropian për sundim të ligjit në Kosovë.
Ish-gjyqtari i EULEX-it foli gjerësisht për shumë aspekte të punës së këtij misioni, duke pretenduar për ndërhyrje politike në shumë procese gjyqësore.
Duke e quajtur misionin evropian me karakter politik, Simons tha se nëse nuk do të kishte dënime ana e EULEX-it, atëherë shtetet anëtare të BE-së, sipas tij, nuk do të mund t’i arsyetonin shpenzimet që bëheshin në Kosovë.
Simons para deputetëve tha se EULEX-i nuk ka qenë i interesuar të hetojë krimet e luftës ndaj popullatës shqiptare të kryera nga serbët, përkundrazi, sipas tij, dosjet e tyre janë dërguar në Serbi.
Ai po ashtu tha se mund të ofrojë detaje për çdo rast ku ka pasur ndërhyrje me karakter politik dhe shtoi se këtë do ta bëjë në rast se deputetët vendosin që të hapin një hetim për këto pretendime.
Pas raportimit, deputetët, anëtarë të Komisionit për Legjislacion, shtruan shumë pyetje për ish gjyqtarin e EULEX-it, Simons, në të cilat i njëjti iu përgjigj një nga një. /2LONLINE.com/