Komisioni parlamentar për Integrim Evropian, në përbërje Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Shqipe Isufi e Agon Batusha, kanë vizituar të mërkurën Gjilanin, ku janë pritur nga kryetari i Komunës, Alban Hyseni me bashkëpunëtorët.
Qëllimi i vizitës i anëtarëve të këtij Komisioni ka qenë për ta parë nga afër zbatimin e planit të punës dhe zbatimin e masave që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim Asocim (MSA), ku Komunat kanë rol të madh në procesin e integrimeve evropiane.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, pasi i falënderoi për vizitën, i ka njoftuar ata me progresin dhe sfidat, ndërkaq si sfidë e ka përmendur pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në konsultimet me publikun, të cilën ka konfirmuar se po punohet që të përmirësohet.
Kryetari Hyseni, duke i njoftuar për punën e deritanishme, ka thënë se ndër punët e para që i ka bërë është hapja e dyerve për qytetarët, ku për të diskutuar me ta është caktuar dita e premte, derisa ka theksuar edhe që po punohet në jetësimin e Zonës Ekonomike, ku fillimisht do të bëhet studimi i fizibilitetit, për të shtuar se problemi më i madh aktualisht janë borxhet e mëdha të Komunës.
Në këtë takim, kryetari Hyseni ka njoftuar se po e shqyrtojnë mundësinë që banesat që janë në pronësi të Komunës t’iu ofrohen qifteve të reja me një kosto simbolike të qirasë.
Në këtë takim ka dhënë rezymenë e tij edhe udhëheqësi i Zyrës për Integrime Evropiane në Komunën e Gjilanit, Burim Elezi, i cili pasi i njoftoi për të arriturat dhe sfidat e Komunës për procesin e zbatimit të MSA-së, u është përgjigjur të gjitha interesimeve të anëtarëve të Komisionit për Integrim Evropian.
Ndryshe, anëtarët e Komisionit për Integrime Evropian të Kuvendit të Republikës kanë shfaqur gatishmërinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes ndaj Komunës së Gjilanit në aspektet e përmirësimit dhe progresit në procesin e integrimeve evropiane. /2LONLINE/