Komuna e Kamenicës ka filluar procesin e korrje-shirjeve më datë 11.07.2023, ku ky proces ka filluar së pari me korrjen e parcelave të mbjella me kulturën e Elbit, pastaj më datë 14.07.2023 ka filluar edhe korrje – shirja e sipërfaqeve të mbjella me kulturën e Grurit.
Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural ka bërë hapjen zyrtare të fushatës së korrje-shirjeve më datë 18.07.2023.
Sipas njoftimit nga kjo drejtori gjatë këtij viti pritet të korren rreth 2,100 ha. me Grurë, 30 ha. me Elb, 180 ha. me Tërshërë, dhe 40 ha. me Trotikal. Kurse lidhur me procesin e korrje – shirjeve, këtë vit do të marrin pjesë rreth 34 Autokombajna.
Fermerët kanë njoftuar se deri më tani, janë korrur rreth 420 ha. me Grurë (apo 20 %), kurse me Elb janë korrur rreth 24 ha. apo (80 %).
Komisioni Komunal për korrje-shirje i formuar nga Kryetari i Komunës, fillimisht ka bërë pranimin teknik të Autokombajnave dhe i ka pajisë me leje për korrje-shirje.
Ky komision ka njoftuar se procesin e korrje-shirjeve do ta përcjell që nga fillimi e deri në përfundim, ku vëmendje do t`i kushtohet humbjeve gjatë procesit të korrjes, në mënyrë që ato të jenë sa ma të vogla, mbajtjen e rendit, si dhe marrjen e masave parandaluese kundër zjarrit.
Sipas informatave nga ky komision lidhur me rendimentin e kulturave, këtë vit është më e ulët krahasuar me vitin e kaluar, për shkak se gjatë këtij viti ka pasur të reshura të shumta të shiut.
Poashtu sipas informatave nga terreni, dhe varësisht nga parcelat e fermerëve , këtë vit rendimentet sillen rreth 3,000 -3,500 kg./ha. për Grurë , kurse te Elbi është 2,500 – 3,000 kg./ha.
Komisioni Komunal thekson se është duke u përpjekur që me përpikëri ta zbatojë Rregulloren Komunale mbi korrje – shirjet.
Procesi i korrje – shirjeve këtë vit ka filluar mbarë, dhe kushtet klimatike janë shumë të mira për korrje, thuhet në njoftim. /2LONLINE/