Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së parë në Ligën e Kombeve, që luhet sonte në orën 18:00, kundër Qipros, ndeshje kjo në kuadër të Grupit 2 të Ligës C.
Para stërvitjes në konferencë për media kanë folur përzgjedhësi Alain Giresse dhe mesfushori, Valon Berisha.
Trajneri i Kombëtares ka thënë se synimi i Kosovës është të vazhdojë me paraqitje të mira, sikur në dy ndeshjet e fundit miqësore të muajit mars, teksa si objektiv i ka vendosur pikët e plota nga ky udhëtim.
Ai ka thënë se e kanë analizuar lojën e Qipros dhe gjatë këtyre ditëve të grumbullimit është përpjekur ta ndërtojë lojë e ekipit të tij.
Ndërsa, Valon Berisha ka thënë se ekipi është i bashkuar dhe synon fitore dhe se ëndërr e çdo futbollisti të Kosovës është kualifikimi në një Evropian apo Botëror.
Përndryshe, pas ndeshjes në Qipro, Kosova do t’i luaj dy ndeshje në shtëpi, kundër Greqisë dhe Irlandës së Veriut, derisa më pas në udhëtim sërish do të përballen me Greqinë. /2LONLINE/