Sot me fillim nga ora 18:00 Kombëtarja e Kosovës do të ballafaqohet me Suedinë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”, takim ky që do të zhvillohet në stadiumin “Friends Arena” të Stokholmit.
Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para përballjes me Suedinë, e ku të gjithë lojtarët janë të gatshëm për ktë ballafaqim të rëndësishëm, në kuadër të xhiros së pestë të Grupit B.
Përndryshe, siç njofton FFK-ja, në konferencën për media janë paraqitur përzgjedhësi Challandes dhe portieri Arijanet Muric.
“Timonieri i Dardanëve ka thënë se ndaj Suedisë do të dalin në fushë për ta konfirmuar formën e mirë të muajit shtator. “Do të luajmë kundër një ekipi të fortë. Kemi luajtur në shtator ndeshje të mira dhe duam ta konfirmojmë formën që e kemi pasur në shtator. Është e qartë që Suedia është kundërshtar shumë i fortë dhe këtë e ka treguar në të gjitha ndeshjet që ka luajtur, përfshirë edhe Kampionatin Evropian. Presim një ekip shumë të fortë në aspektin fizik por edhe në aspektin individual sepse ka lojtarë që mund ta bëjnë dallimin në ndeshje”, ka thënë Challandes. “Edhe për këtë ndeshje ka presion sikurse në çdo ndeshje tjetër. Do të luajmë kundër një ekipi që në të njëjtin stadium e ka mposhtur Spanjën dhe presioni është normal jo vetëm në ekipin tonë, por çdo skuadër tjetër”, ka thënë ai, njofton FFK.
Ndërkaq, portieri Aro Muric ka theksuar se Suedia ka një ekip shumë të fortë, por Kosova synon të befasojë. “Jemi të emocionuar dhe me padurim presim ndeshjen me Suedinë, jemi përgatitur mirë dhe shpresoj të tregojmë paraqitje të mirë. Pas ndeshjeve të shtatorit jemi kthyer me më shumë vetëbesim dhe mendoj që dyja ekipet do të kenë rastin të tregojnë paraqitje të mira. Do të përpiqemi të luajmë lojën tonë si gjithmonë. Suedia edhe pa Zlatanin mbetet e fortë dhe do të shohim si do të shkojnë gjërat në fushë. Po ashtu, përkundër mungesave, Suedia sërish mbetet ekip shumë i fortë”, ka thënë Muric, njofton FFK.
Formacionet e mundshme të dy kombëtareve.
Suedia (4-4-2): Olsen; Krafth, Lindelof, Danielson, Augustinsson; Claesson, Olsson, Svanberg, Forsberg; Isak, Kulusevski
Kosova (4-3-3): Muric; Hadergjonaj, Rrahmani, Aliti, Vojvoda; Halimi, Dresevic, Loshaj; Kastrati, Muriqi, Rashica
Ndeshja Suedi – Kosovë, zhvillohet të shtunën në orën 18:00.