Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para përballjes me Zvicrën në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, që zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, në orën 20:45.
Stërvitja e fundit ka kaluar në humor të mirë të futbollistëve, të cilët presin që me përkrahjen e fuqishme të tifozëve “Dardanët” nga tribunat dhe me maksimumin e gjithsecilit në fushën e lojës të arrijnë marrin rezultat pozitiv kundër favoritit të grupit, Zvicrës, në një ndeshje që pritet të jetë e vështirë, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për të qenë në dispozicion të përzgjedhësit, Primozh Gliha, i cili në konferencën për media nuk ka dashur të japë hollësi sa i përket formacionit dhe as mënyrës se si do të luajë Kosova në këtë ndeshje të rëndësishme, njofton FFK. /2LONLINE/