Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me ftesë të Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-ve qëndroi për vizitë zyrtare në Uashington DC në SHBA, njofton FSK.
Gjatë vizitës Gjeneral Jashari i shoqëruar edhe nga Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës (GKA), Stephen Osborn, patën mundësinë të takojnë drejtuesit më të lartë të Ushtrisë Amerikane dhe të Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-ve. Gjeneral Jashari u takua me Shefin e Shtabit të Ushtrisë, Gjeneral Randy George, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme për FSK-në dhe diskutuan prioritetet e përbashkëta për të ardhmen.
Në vijim të vizitës Gjeneral Jashari mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të detyrës së Shefit të Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-ve. Kjo ceremoni u udhëhoq nga Kryesuesi i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të SHBA-ve, Gjeneral Charles Q. Brown Jr, ku me këtë rast u largua nga detyra Gjenerali Daniel Hokanson. KOMFSK e falënderoi Gjeneralin Hokanson për lidershipin e tij në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror në mes të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
Gjeneral Jashari gjithashtu mori pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të pozitës së Drejtorit të Ushtrisë së Byrosë së Gardës Kombëtare, ku nga kjo pozitë u pensionua Gjeneral Lejtënant Jon Jensen dhe detyrën e mori Gjeneral Jonathan M. Stubbs. Gjatë takimit njoftues me Gjeneralin Stubbs të dy u pajtuan që bashkëpunimi të vazhdojë tutje në stërvitje, trajnime dhe aktivitete tjera të përbashkëta, njofton FSK. /2LONLINE/