Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti sot në takim komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Ben Corell.
Me këtë rast, Gjeneral Jashari i shprehu mirënjohjen e lartë për mbështetjen e pazëvendësueshme dhe jetike të Ushtrisë Amerikane në përgjithësi dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s në veçanti, për ndërtimin, zhvillimin dhe forcimin e aftësive dhe kapaciteteve Operacionale të FSK-së.
Në vazhdim, Gjeneral Jashari e njoftoi Gjeneralin Corell, me të arriturat e deritashme, aktivitetet në proces dhe objektivat e tij operacional për të ardhmen.
Gjithashtu, ai e njoftoi me vizionin e tij dhe aktivitetet e projektuara në kuadër të partneritetit të ngushtë me Gardën Kombëtare të Iowa-s, duke potencuar se për të gjitha do të ketë mundësi të konkretizohen edhe në nivel të dy delegacioneve në vizitën e ardhshme të tij në SHBA, me ftesë të Gjeneral Corell.
Nga ana e tij, Gjeneral Corell, shprehu vlerësimin e lartë për vizionin e Gjeneral Jasharit dhe lidershipin e tij aktual dhe atë të dëshmuar edhe në përgjegjësitë e kaluara.
Gjithashtu, ai ofroi Gjeneral Jasharit bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e plotë në funksion të realizimit të objektivave operacional, në mënyrë që FSK të arrijë në mënyrën sa më të efektshme të realizoj procesin e tranzicionit, krahas procesit rekrutues, pajisjes, pastaj procesit arsimor, stërvitor dhe games së operacioneve brenda dhe jashtë vendit.
Në fund Gjeneral Corell takoi edhe pjesëtarët e kontingjentit të FSK-së, pjesëmarrës në operacionin e parë paqeruajtës dhe stabilitetit jashtë vendit të FSK-së në bashkë-zbarkim me forcat amerikane të Gardës Kombëtare të Iowa-s, në Kuvajt.
Me këtë rast, me motivacion për performancën e lartë profesionale, angazhimin me përgjegjësi të lartë si dhe shërbimin vetëmohues, i nderoi me simbolin ushtarak të tij. /2LONLINE/