Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ftesë të Komandës Amerikane për Evropë po merr pjesë në Konferencën e Ushtrisë Amerikane për Evropë me ushtritë e Evropës.
Kjo është Konferenca e 25-të e Ushtrisë Amerikane për Evropë me ushtritë e Evropës(CEA), e cila ka filluar punimet më 25 tetor dhe pritet t’i përfundojë më 27 tetor 2017, në Wieisbaden të Republikës Federale të Gjermanisë.
Konferenca e Ushtrisë Amerikane për Evropë me ushtritë e Evropës është forum i hapur për diskutim ndërmjet shefave të mbrojtjes dhe atyre të forcave tokësore të më shumë se 40 vendeve të Evropës dhe Azisë.
Me ketë rast, gjeneral Rama do të marrë pjesë në punimet e të gjitha seancave, krahas shefave të ushtrive të 40 shteteve të Evropës si dhe do të ketë edhe takime tjera dypalëshe.
Konferenca e Ushtrisë Amerikane për Evropë është konferenca kryesore evropiane për bashkëpunim në fushën e sigurisë e udhëheqësve të lartë dhe kontribuuesve të mëdhenj të qëllimeve të përbashkëta për rritjen e mirëkuptimit, ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, paqes dhe stabilitetit në Evropë.