Dueli i fundit mes Gjilanit dhe Dritës që u zhvillua në stadiumin“Fadil Vokrri” në Prishtinë dha epitetin e një ndeshje derbi. Kjo pasi mbi 7500 bileta u shitën, ndërsa atmosfera në tribuna ishte më e zjarrtë sesa loja në fushë.
Ndeshja la shumë për të dëshiruar, përkundër rasteve të pakonkretizuara nga të dyja skuadrat (0:0), por ata që fituan ishin tifozët me koreografitë e tyre.“Skifterat” në njërën anë dhe “Intelektualët” në anën tjetër uk u ndalën së brohorituri për skuadrat gjatë tërë ndeshjes.
“Skifterat” po festonin jubileun e tyre të 20-te te themelimit, duke u rikthyer edhe njëherë në “Fadil Vokrri” për të dhënë njërën nga paraqitjet më të mira sa i përket tifo skenës për këtë edicion në kampionatin elitar.
Këtë herë kuqebardhët përballë kishin rivalin lokal, teksa nuk i kushtuan shumë rëndësi atyre për të bërë një super koreografi para fillimit të ndeshjes.
Tribuna jugore ku ishin vendosur tifozët e kaltër të Dritës ishte stërmbushur, ndërsa një pjesë e tyre u ulën edhe në tribunën përballë. Me autobusë të shumtë dhe vetura private mijëra “Intelektualë” u mobilizuan për të dhënë një tjetër shfaqje në stadiumin e kryeqytetit.
Koreografia ishte tejet interesante dhe thumbuese ndaj rivalit lokal, të cilin e thumbonin herë pas here gjatë ndeshjes. Mund të shijoni fotografitë nga ky derbi, e që me të drejtë konsiderohet si më i zjarrti në Kosovë dhe jo vetëm.