/Koha si diskurs emetues në romanin “Përsëri në Mars”/
Dr Fatmir Terziu
Hyrje
Koha rrëshqet me vrull atletik në romanin e ri të shkrimtares Albina Idrizi. Vishet si një kohë e “rrjepur” e çorapit të protagonistit dhe ngjeshet si një memorje që tharmon gjuhën dhe qashtërsinë e mesazhit. “As gogësimë. As ofshamë. Gëzimi zgjohej me këmbët poshtë shtratit mbi papuçet prej lëkure të errët, të palosura që nga mbrëmja në të njëjtin vend prej vitesh, tashmë të rrjepura në pjesën e përparme të tyre ku kishin bërë formë gishtërinjtë e tij.” Përcaktori “Asnjëherë në të majtë apo në të djathtë të shtratit”, nuk është një eleminues i kohës, por një qashtërsi gjuhe që meton diskursin në shërbim të kohës “Gjithmonë në mes të tij”. Pra, ajo që vjen që në krye të herës mes këtij diskursi qaset në labirinthin e kohës dhe na formon atë që shkrimtarja Albina Idrizie bën sfilatë bukurie të leximit dhe të mbajtjes mend të “Përsëri në Mars”. Ndoshta duhet theksuar se kësaj sfilate të bukur i janë ngjizur dhe forma e forca didakte dhe estetike e “Buzukut” me ekipin e talentuar të qasjes së kësaj proze në një, duke filluar me editorët Hana & Abdullah Zeneli dhe përgatitjen për shtyp të Marigonë Kelmendit apo dhe ballinën dhe artin grafik nga Artan Zeneli.
Koha estetike
Një estetikë e tillë dhe një kohërendje e rraskapitur në viruse teknologjike dhe po aq në kërkim të punës, qaset e zverdhur, si vetë dukja e tillë ngjyrësuese (kry(e)qasje e ngjyrave) e asaj që shqetëson më së shumti protagonistin në pritjen e kahershme të kohës së tij, për të qenë i gëzuar. Agimi, ndreqësi i kompjuterit është pjesë e vetë kohës në pritje. Dhe pritja ka dhe “turpërimin” para mausit, kompjuterit “Acer” dhe komshiut, pasi mund të kishte qenë dhe Smartphone, por ai “ishte ëndërr e largët për të”. Të paktën tashmë në atë qytet të vogël, jeta me vjedhjen kishte një raport të ri. Tashmë mausi të bënte të shëtisësh e të përhumbesh në ëndërra, sa në Oscarin e Hollyewoodit, aq dhe në përhumbjen e gjithëkulturshme të Gangnamstyle, apo dhe në Amazonë e gjetkë. Në këtë përhumbje teknologjike sërrish Agimi është zbutësi i tij mes ëndërrave në teknologjinë e re “Do të mësohesh, avash-avash…”.
Dhe koha nuk është më e njëjtë, ajo shkon përtej akrepave të orës. Koha ishte dhe mbetet një gungë. Ajo ngulej dhe ngulet aty ku pikërisht ishte dhe kishte mbetje të dhimbjes. “Atëherë, si të kishte para vetes një mister, me orë të tëra kundronte kodrën e thatë, të shkretë, që nuk kishte gjë tjetër veç dhjetë varreve të dëshmorëve të luftës së fundit në faqen shpatore të saj, andej nga lindte dielli, në ballë të qytetit”. Dhimbja ristrukturohet dhe ai lexon mes saj. Lexon dyert e huaja ku ai u rrit “Ishin vrarë gjatë luftës – thoshin se ishin zënë duke u gatuar ushtarëve, kur Gëzimi sapo kishte nisur të ecte, për t’u rritur pastaj dyerve të huaja gjer atëherë kur trupi i lëshoi shtat, një arsye kjo për t’u braktisur më lehtë tani që mund të kujdesej për veten.”
Kjo është koha estetike në roman. Nga teoria e dimë që estetika është një mënyrë e shkëlqyeshme për të shtuar pamjet në roman dhe për të sjellë aspekte të librit në jetë, jo vetëm për veten, por edhe për lexuesit. Dhe këtë e themi me plitë gojë se autorja e këtij romani e bën mrekullueshëm këtë.
Diskurs ëndërrash
Koha në anën tjetër të ekranit kthehet e shndërrohet në diskurs ëndërrash. Shëtisin ëndërrat e tij e pikëtakojnë gjeografi në Tibet, aq dhe në palestrën e qytetit, e gjetkë. Koha është midis kokës së tij dhe orës në komodinë. Tjetra, varësja e vetë kohës është në dollapin e robave, ku xhinsat dhe këmishat janë të së njëjtës firmë “LittleBig”. Në gojën e Agimit ai është një sipar i kohës, “birbo”, që anashkalon metrikën e rimës së fjalëve që plotësojnë kumtin e diskursit të poetikës së mllefit dhe anësimit kohor të kohës në vetë stigmën e saj. Ajo, si e tillë, pra koha shëtit diskursive mes protagonistit dhe rrugës, mes shikimeve të shokëve të klasës, në tubimet zgjedhore të qytetit, librave që i huazonte çdo javë, tek komuna ku shfaqet ndukshëm dhe ndjeshëm Zonja e dorës së hajthme, rreth të tridhjetave, brenda një këmishe të pambërthyer dot në pjesën e sipërme të gjoksit, pra Zarifes, sekretares së Komunës, tek V-ja e thellë e jakës në këmishën e kësaj femre, e kudo ku protagonisti kapet rob mes shpresës dhe ëndërrës së tij.
Këtu pikërisht në këtë pikë fillon dhe rrëmimi thellësor i tejndjenjës së diskursit. Aty koha shtjellon më saktë, atë që tashmë kishte prodhuar koha si produkt të vetin: “Madje, edhe kur arrinin ta largonin shikimin që andej, në bisht të syrit u ngjitej ajo shkëndijë e kuqe mbi ndarjen joshëse të gjinjve si një cifël me të cilën më lehtë u pëlqente të mësoheshin sesa të provonin ta shqitnin që andej.” Ana komode e kohës është tallja, sarkazma, përçmimi: “– Ka ndonjë gjë për Birbon këtu bre- nda? Është i zoti si hamall! – tha Agimi duke e kapur Gëzimin nga krahu”. E kështu njeriu që rrekte ëndërrat mes teknologjisë së re e më të fundit, kishte kohën e tij të ngecur mes gjoksit të gjysëmzbuluar të sekretares, që tashmë të vetmin gisht tregues për punë e kishte tek karriget e sallës, ato mbledhjes e sallës së Parlamentit, pra të vetmen punë për njeriun në hall. Intimitetit i largohet jo vetëm Gëzimi, por edhe koha e tij: “Flisnin me zë të ulët mes vete dhe Gëzimi, përnjëherë, u ndie i tepërt.”
Koha e dhimbjes
Dhe koha ndalet tek karriget e thyera, i largohet disa shtjellmave dhe shkon në hapësirën ku Kombi ka një memorje tjetër kohore “vazo të bukura nga qeramika, pjata të gdhendura bronzi, çibukë të skalitur druri, buste të dëshmorëve dhe kontribuesve të kombit nëpër kohë, kukulla me veshje kombëtare të radhitura në hapa valleje apo të ulura rreth sofrave miniaturale të dasmave, punuar nga nxënësit e shkollave të qytetit.” Kjo kohë tashmë ka në shpinën e Gëzimit karriget e thyera, shenjat e bythëve të atyre që bëjnë dhe formojnë këtë kohë të përskuqet në thembrat e zbuluara të sekretares nën sandalet e saj. Koha ndalet dhe mbyllet në dy kohë në zyrën ku çelësat me një arrushë të vogël hapin e tromaksin mendjen e Gëzimit: “Agimi, me pantollonat e zbritur gjer në gju, po djersinte mbi këmbët e hapura të Zarifes së shtrirë mbi tavolinën e parë të podiumit, aty ku vetëm pak më herët qe rrëmbyer nën euforinë e fjalimit.”
Koha e qytetit moskokëçarës është një rrugëtim i gjatë diskursiv në shtjellën e protagonistit. Është një rrugë që skajmon tejndjeshëm diskursin, sa mes fjongove të varreve, aq dhe mes restoranteve dhe emrave të rrinj për rrugët e pasluftës. Secila rrugë, më shumë se emri i ri i pasluftës që mbante, njihej sipas misionit që u shërbente banorëve të qytetit, dhe më së shumti rruga e shitoreve të shtrenjta me veshmbathje, çanta, parfume e aksesorë të ndryshëm që mbanin emrat e brendeve më të njohura botërore: pollo, adidas, Nike e LuisViton, pothuaj të gjitha imitime të lira të importuara nga Turqia, pasi rrugët e zejtarëve, teneqexhinjve e depove të llojllojshme, ndodheshin krejt në fund. Koha mbledh dhe bredh faktet mes librashitësit ambulant, petallashitësit me tepsi në dorë, këtij trembëdhjetëvjeçari të paparë ndonjëherë nga sytë e protagonistit, uturimave të kamionit të plehrave, erës së ftohtë të fillimmarsit, shijes së zymtë restorantit “Hareja”, dhe aty ku: “Krejt më poshtë të rejave, varret e vjetra gati të rrafshuara përtokë nga shembjet dhe të reshurat me vetëm ndonjë gur dosido sipër kokës, e disa prej tyre pa gjë fare, po mbyteshin dalëngadalë në një lymishte gllabëruese. Vdekje që vdesin dhe vdekje që jetojnë, i vinte të thoshte me vete Gëzimit sa herë u kalonte pranë.”
Koha si pasqyrë
Në këtë kohë diskursive shfaqet edhe Meti, “varrmihësi që tregonte më së miri raportin e papërshtatshëm të moshës që kishte me punën që bënte”. Por diku tek shembja e imazheve me buste e imazhëri i shfaqet edhe Lida, në një derë që i afron të haj. Dhe ai habitet. Habitet me kohën, pjatën e plotë të peshkut, me gënjeshtrën e detyruar … “Por kjo?! Një pjatë e tërë peshku e paprekur?! – Është fati yt! Sapo e ktheu një mysh- teri i ri. Kërkoi peshk të freskët dhe kur i ofruam troftën e pjekur tha se kishte dëshi- ruar levrek. Duket se është i sapoardhur me shërbimin e ri të NATO-s, ndaj u arsyetuam se detin e kemi larg dhe na mungon levreku. Tani mami po i gatuan levrekun e freskët nga frigoriferi, – qeshi Lida…”. Në këtë kohë narrativi sjell edhe Lemin, Difen, dhe koha shëtit ngatërrueshëm mes flojëve të zinj të vajzës së pronarit, ku “Gjoksi i mbushur nën kopsën e pambërthyer të xhaketës së bardhë e joshi ta pushonte vështrimin e tij pikërisht aty”.
E nëse koha nuk do të prodhonte incidentet e vetë kohës, diskursi nuk do të rrëmonte kaq bukur në detajet e thyerrjes së qeramikës, apo në rrënien e shtyllës mbi ata që darkojnë në restorantin “Hareja”, vetë protagonisti nuk do të shihte në ëndërr edhe Difen. E pra bukuria e shtjellës dhe e lëvizjes së shkathët narrative e bën romanin të jetë një vepër e plotë, e pastër, e veçantë dhe një mikroskop për Vendin në të cilin jeton dhe ëndërron protagonisti. E aty është edhe enigma me Lidën, e mjaft të tjera që shtjellon mjaft bukur narrativi i Albina Idrizit. Dhe Lida ka një kuptim më të thellë… “Lidë, këtu do të ndërtojmë… – Jo varre, jo më, – ia preu fjalën Lida duke e ngjeshur kokën edhe më shumë në gjoksin e tij. – Jo zemër, jo varre. Këtu do të ndërtojmë shtëpi. Do të ndërtojmë jetë, – e shtrëngoi pas vetes ai. – Shtëpinë tonë. Jetën tonë, – përsëriti pas tij Lida”.
Konkluzion
Në kumtjen diskursive të romanit “Përsëri në Mars” jeta, koha dhe tërësia e stigmatizuar nga vetë rrjedha e kohës janë mijëra arsye për të thënë se shtjellimi narratin është ndër më të bukurit e realizuar nga autorja dhe po aq dhe një nga narrativët më të bukurshkruar në tërë strukturën e prozës së gjatë. Flet qartë, shtjellon bukur, shpjegon larmishëm, udhëton në sy e në mendje të lexuesit dhe aty është për të gjithë e gjitha e kohës që jetojmë për kohërat që do ta dëgjojnë e transmetojnë. Albina Idrizi nuk e ka sprovë, e ka arritje dhe për këtë natyrshëm meriton vëmendje dhe respekt nga lexuesi, kritika dhe madje edhe nga institucioni i letrave.