Zarife Asllani – /Kryetare e Gruas, AAK – Gjilan/
Duket qartë se kryeministrit Albin Kurti i pengojnë mediat dhe krahu i luftës. Në vend që t’i shohë këto si shtylla të rëndësishme të demokracisë dhe historisë sonë kombëtare, ai zgjedh t’i përçajë dhe t’i sulmojë.
Mediat, që duhet të jenë zëri i qytetarëve, dhe krahu i luftës, që është baza e lirisë sonë, nuk mund të trajtohen si armiq apo pengesa për të ardhmen.
Sakrificat e krahut të luftës, përfshirë ato të Ramush Haradinajt dhe shumë të tjerëve, janë themeli mbi të cilin qëndron liria dhe pavarësia e Kosovës.
Është shqetësuese të shohim se kryeministri Kurti shpenzon më shumë kohë në konflikte me krahun e luftës dhe në luftë me mediat sesa në zgjidhjen e problemeve reale.
Retorika përçarëse, fjalimet e shumta dhe fajësimi i të kaluarës nuk po i sjellin asnjë të mirë Kosovës.
Situata në veri është më e tensionuar se kurrë, dhe qytetarët presin veprime konkrete për sigurinë dhe sovranitetin, jo fushata propagandistike apo justifikime.
Konferencat për shtyp dhe fushatat propagandistike nuk do të zgjidhin problemet. Nevojitet një qasje e sinqertë, që respekton sakrificat e së kaluarës dhe ndërton një të ardhme të qëndrueshme.
Liria e Kosovës nuk është dhuratë e askujt, por rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave të shumë njerëzve, të cilët sot shpesh shihen si pengesë nga vetë ata që duhet t’i nderonin.
Koha për fjalë ka mbaruar – tani është koha për veprime që mbrojnë dhe forcojnë Kosovën. /2LONLINE/