Klubit i Afaristëve Frankofonë në Kosovë (KOCAF) do të jetë një mundësi e mirë e promovimit dhe nxitjes së bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe shteteve frankofone, u tha në hapje të ceremonisë së lansimit të këtij klubi, ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ambasada e Francës dhe komuniteti i biznesit.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se është privilegj i Kosovës që jetë pjesë e frankofonisë dhe i gëzohet mundësive që të thellojë bashkëpunimin me të gjitha vende anëtare të këtij forumi të rëndësishëm botëror. “Kosova përpos që ka një popullatë mjaft të re në moshë, Kosova ka edhe resurse të shumta që ende duhet shfrytëzuar, e këto kërkojnë ekspertizë por edhe kompani të fuqishme për t’i eksploruar këto potenciale. Andaj duhet të mësojmë për potencialet e Kosovës që edhe afaristët kosovarë të përfitojnë nga përvojat që ofron bota sot”, thai ai.
Ndërsa kryeparlamentari, Kadri Veseli, vlerësoi se lansimi i këtij klubi është një lajm i mirë për vendit tonë dhe përmes këtij mekanizmi do të hulumtohen mundësitë e bashkëpunimit të Kosovës me vendet anëtare të frankofonisë. “Ne jemi duke e përmirësuar me hapa të shpejte dhe të sigurt ambientin e të bërit biznes në vendin tonë, jemi duke punuar po ashtu në përshpejtimin e procedurave ligjore, eliminimin e barrierave ekonomike dhe funksionalizimin e ligjeve që stimulojnë sipërmarrësit e brendshëm dhe të jashtëm si dhe ligjet që garantojnë konkurrencën e lirë”, tha kreu i Kuvendit.
Sipas, Kryeministrit Isa Mustafa, lidhjet që i kemi pasur me vendet frankofone përforcohen edhe me lidhje të fuqishme ekonomike. “Ju siguroj që edhe politikat e tanishme edhe politikat e ardhshme ekonomike, Qeveria dhe ministritë përkatëse do t’i bëjnë në përputhje me interesat tona të përbashkëta që janë interesa të biznesit dhe interesa të zhvillimit tonë”, tha ai. Mustafa tha se Qeveria është e interesuar që përmes këtij klubi t’i informojë bizneset frankofone për mundësitë e investimeve në Kosovë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci theksoi se lansimi i Klubit të Afaristëve Frankofonë do të jetë një adresë e qëlluar që të ketë edhe më shumë investitorë në vendin tonë.
“Kjo ngjarje është e rëndësishme në dy rrafshe, në rrafshin e marrëdhënieve ndërshtetërore, ku ne kemi mundësi që relacionet e shkëlqyeshme që i kemi pasur në rrafshin dypalësh t’i zgjerojmë ato në rrafshin shumëpalësh, por edhe për arsyen tjetër që ne mund të kemi marrëdhënie edhe më të mira ekonomike, si intensifikim të relacioneve, sidomos të atyre biznesore në mes të bizneseve kosovare dhe të vendeve frankofone”, tha ai.
Sipas tij, modeli më i mirë preferencial që tregon për prezencën aktuale të investitorëve të këtyre shteteve, e që është një imazh shumë i mirë për vendin tonë, është Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, njëra nga kryeveprat infrastrukturore.
Stavileci tha se investitorët nga Zvicra e Luksumburgu, janë prijëse me investimet e tyre si Qeveri edhe si agjenci shtetërore në veçanti në sektorin e ujërave dhe në atë të trajtimit të ujërave të zeza.
Kreu i MZHE-së tha se thash në prag të nënshkrimit të marrëveshjes më të madhe investive siç është ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, që përbën një mundësi shumë e mirë që edhe bizneset frankofone të jenë pjesë e ndërtimit të kësaj kryevepre, ndërsa renditi si mundësi edhe burimet e ripërtëritshme, efiçiencën e energjisë, ninierat dhe TIK.
Rogner Forneris, Bashkëdrejtues i Klubit Frankofon tha se nën logon e KOCAF-it do të angazhohen që të promovojmë dhe lehtësojmë në vepra bashkëpunimin mes Kosovës dhe shteteve frankofone. Ai tha se si prioritete të para me Kosovën dhe që do të merren parasysh nga Klubi frankofon janë; industria, zhvillimi i transporteve ajrore dhe tokësore, financat, aeronautika, agrikultura, trajnimi profesional, agronomia me standarde ndërkombëtare, menaxhimi i resurseve natyrore, energjia e ripërteritshme, turizmi etj.