Zgjedhjet e parakohshme parlamentare po afrohen. Tash kur kanë ngelur më pak se 20 ditë që kur qytetarët e vendit do t’i mësyjnë kutitë e votimit, partitë politike po përgatisin ofertat e tyre.
Të vetëdijshëm se të vetëm nuk do të mund të marrin votat e dëshiruara, krerët e partive politike i kanë hapur dyert njëri-tjetrit për koalicione parazgjedhore.
Ilir Sefaj
Deri pak ditë para rënies së qeverisë Mustafa, Kuvendi i Kosovës dhe jo vetëm, i ngjante një arene “lufte”, aty për pak sa nuk u derdh gjak. Këndvështrimet e partive politike në pushtet në njërën anë dhe i partive opozitare në anën tjetër, për çështje me interes kombëtar ishin diametralisht të kundërta.
Nuk ka kaluar shumë kohë që opinioni ta harrojë krijimin e të ashtuquajturës ‘opozita e bashkuar’ e cila iu kundërvu me vrull ‘përpjekjeve‘ të brishta të kryeministrit Mustafa për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare siç qe puna me demarkacionin ta zëmë.
Në këto tri vite të qeverisë Mustafa, qeveri kjo e cila doli pas koalicionit PDK-LDK, opozita ishte më e zëshme se asnjëherë më parë. Dhe siç dukej kjo po ndodhte pikërisht se në krye të legjislativit ishte një kryeministër i pa-kurrizor i cili nuk e pati asnjëherë guximin që të merrte një dhe të vetmin vendim të duhur në interes të qytetarëve të vendit.
Ai qysh në nismë të punës së tij veç sa nuk u dorëzua pas presioneve të LVV po edhe partive të tjera opozitare, që njëri nga ministrat e tij, Jabllanoviq, të shkarkohej, pas fyerjes së nënave shqiptare nga ky i fundit. Sjellja e Mustafës në rrethanat e krijuara pas deklaratës kriminale të njërit prej ministrave të tij ishte e pakuptimtë.
Pra, Mustafa nuk e pati guximin që ta shkarkonte Jabllanoviqin, pas këtij skandali. U desh demonstrata të pandërprera, presion i jashtëzakonshëm, eskalim enorm i situatës politike dhe të sigurisë së përgjithshme, që më në fund Mustafa ta ndërmarr një veprim të “guximshëm’ shkarkimin e Jabllanoviqit.
Sidoqoftë kaluan ditë, javë, muaj e vite dhe më në fund pas një mocioni të mosbesimit të ngritur nga partitë opozitare dhe të përkrahur nga PDK si parti e koalicionit qeverisës, deputetët e Kuvendit të Kosovës me një shumicë votash i dhanë fund keqqeverisjes Mustafa.
Deri këtu krejt normale dhe e pritshme, pra një qeveri e korruptuar e që nuk bëri as më të voglin hap drejt mirëqenies së qytetarëve, e meritonte të shkonte në shtëpi.
Mirëpo, tash kur veçse ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit, jemi dëshmitarë të koalicioneve parazgjedhore që po krijohen këto ditë, koalicione këto që nga disa po cilësohen të natyrshme e nga disa të tjerë të panatyrshme.
Nëse deri dje krerët e partive politike e konsideronin më shumë se rivalë politik njëri-tjetrit, pra nëse deri dje ata akuzonin njërin-tjetrin për veprime ç’njerëzore, ku nuk mungonin as epitetet; kriminel, idiot, i poshtër, i pafytyrë etj, etj, janë po këta politikanë që sot do të hanë në të njëjtin legen, të bashkuar rreth “një ideali”; varfërimin, zhvatjen, kapjen dhe poshtërimin e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.
Për të mos e zgjatur edhe më, kjo gjendje kaotike politike e cila po mbretëron sot në vendin tonë, mbase edhe do të mund të justifikohej në vitin 1999, por assesi edhe në vitin 2017, kur po bëhen dy dekada që nga përfundimi i luftës në Kosovë, që megjithatë, fatmirësisht u përkthye: në të qenë të lirë.
A duhet të mjaftohemi me kaq?! Sigurisht që jo.