Klubi i Karatesë “Drita” ka përmbyllur këtë vit me një program në të cilën kanë performuar në kata karateistët e këtij klubi si dhe ka ndarë mirënjohje e kupa për karateistë e trajnerë si dhe mirënjohje për kontributdhënësit dhe mbështetësit e këtij klubit dhe karatesë, por edhe të këtij sporti në përgjithësi.
Kryetari i këtij klubi, Arsim Ibrahimi ka vlerësuar të gjitha ata që në çfarëdo forme e kanë ndihmuar karatenë, derisa i pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kreu i Federatës së Karatesë së Kosovës, Avni Gashi, i cili ka vlerësuar këtë klub për rezultatet e arritura dhe për atë që i kanë dhënë shumë karatesë jo vetëm gjilanase, por edhe asaj kosovare.
Gashi ka thënë se me vet faktin që ky klub daton që nga viti 1972 flet shumë për atë se si Gjilani i jep shumë këtij sporti dhe klubet e karatesë së Gjilanit i japin shumë karatesë së vendit dhe kjo shihet edhe për kah rezultatet që i kanë arritur klubet dhe karateistët gjilanas si në vend, ashtu edhe në garat ndërkombëtare, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ai ka rikujtuar se përherë klubet gjilanas të karatesë janë në top vendet e para në ranglistën e Federatës dhe se Federata e Karatesë ka bërë meritore të gjithë, por meritat kryesore iu takojnë trajnerëve që po sakrifikojnë për të bartur njohurit te fëmijët.
Gashi tha se karateja është shumë e vlefshme për fëmijët, se shëndeti, mirëqenia dhe të gjitha virtytet e mira i vijnë nga ky sport e që Gjilani në përgjithësi është një shembull tipik se sa mirë kultivohet karateja, ku kemi më se 8 klube, e me rezultate kulminante edhe si klube edhe si karateistë, ku kemi edhe medalistë evropian që po na bëjnë krenarë.
Ndërsa në emër të komunës së Gjilanit, klubin ”Drita” e ka uruar, Riad Rashiti, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, duke bërë me dije se institucionet e kanë ndihmuar, por edhe në të ardhmen do ta ndihmojnë sportin, e në këtë rast edhe karatenë duke ndarë subvencione.
Rashiti ka thënë se e di që klubet kanë nevojë për mbështetje edhe më të madhe dhe se komuna e Gjilanit ka planifikuar mjete që të përkrahin klubet prandaj pritet rritja e subvencioneve në sport.
Ai po ashtu ka bërë me dije se komuna po luan një rol pozitivë edhe në atë që klubet sportive të munden të përfitojnë tani edhe nga ligji për sponsorizim duke shpresuar se përkrahja për klubet do të rritet edhe më tepër, por me këtë do të rriten edhe sukseset e sportit, transmeton 2LONLINE.com.
Edhe Don Bledar Huba, drejtor i Qendrës “Don Bosko”, tha se ndihet i lumtur që ka ofruar hapësirat e kësaj Qendre për t’u mbajtur kjo ngjarje e rëndësishme për këtë klub, duke iu gëzuar kështu sukseseve të klubit dhe të rinjve që merren me këtë sport. Ai tha se kjo qendër merret me edukim dhe se sporti edukon trupin, mendjen e shpirtin, prandaj ndihet i lumtur që kanë kontribuar sadopak në këtë organizim.
E fjalë të mira për klubin patën edhe folës të tjerët, ndërkohë që klubi “Drita” ka nderuar me mirënjohje karateistët me rezultate, trajnerët, donatorët dhe të gjithë të tjerët që në çfarëdo forme kanë ndihmuar klubin, por edhe karatenë në përgjithësi. /2LONLINE/