Klubi francez Nantes ku luante futbollisti i zhdukur në aeroplan Sala po ia kërkon klubit të Premierligës Cardiff City 17 milionë euro për transferimin e Salas.
Pas tre ditësh kërkime, policia i ndali kërkimet për aeroplanin e zhdukur. Familja nuk u dorëzua dhe me ndihmën e vullnetarëve e financuan një kërkim privat. Aeroplani u gjet në fund të detit, të dielën, dhe një trup është nxjerrë nga rrënojat mbrëmë. Ende nuk dihet nëse trupi është i futbollistit Sala apo i pilotit.
Për shkak të respektit ndaj familjarëve të Salas, Dalman ka thënë që Cardiffi do ta presë fundin e procesit të kërkimeve para se t’ia paguajë paratë e kërkuara për transferimin e lojtarit të cilët tashmë e kishin realizuar.
“E vetmja gjë që mund të them tani, sepse është një rast i ndjeshëm, është se mund ta konfirmoj që ajo që po thoni [që Cardiffi nuk i ka paguar paratë për transferimin e Salas] është e vërtetë”, ka thënë Dalman për L’Equipe.
“Dhe të jem i sinqertë, nuk dua të them asgjë më shumë për momentin. Arsyeja e parë pse nuk e kemi bërë këtë është se trupi nuk është nxjerrë ende. Duhet ta respektojmë familjen. Është ende shumë herët për të komentuar. Ne do të paguajmë kur të mendojmë që është momenti i duhur. Nuk mendoj se Cardiffi ka thënë se nuk do të paguajmë asnjëherë”.
Futbollisti Sala u zhduk, bashkë me aeroplanin dhe pilotin David Ibbotson, më 21 janar, disa ditë pasi kompletoi transferin e tij te skuadra angleze.