Liverpool triumfoi në Champions League, duke mposhtur Tottenhamin 2:0, falë golave të shënuar nga një në çdo pjesë, me Salah nga pika e bardhë e penalltisë që në minutën e 2’ dhe Origi vetëm 3 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, në të 87’.
Për “Sky”, trajneri gjerman i Liverpool nga “Wanda Metropolitano” komentoi kështu suksesin e tij, teksa në fund shpërtheu në lot:
“Një mbrëmje e jashtëzakonshme. Ishte një betejë e vërtetë, ku të dyja skuadrat kanë tentuar të triumfojnë. Të dyja skuadrat luftuan për të marrë trofeun, e ëndërronim. Nuk ishte ndeshja më spektakolare, por dëshira jonë ishte vetëm që të fitonim në një sezon që edhe në kampionat ishte gjithashtu shumë intensiv deri në minutë e fundit. Donim të fitonim për të gjithë tifozët që na ndoqën deri këtu, ajo që bënë çunat është e pabesueshme”, theksoi Klopp.
“Fituam me dy gola. Këtë fitore ja dedikoj familjes time dhe të gjithë tifozëve tanë, gjithçka për këta njerëz. Nuk kam fjalë. Pas shumë finaleve të humbura e meritonin këtë. Deri më sot i kisha humbur të gjitha finalet. Më kujtohet familja ime. Ata kanë vuajtur shumë më shumë se unë. Jam krenar për këtë klub”, deklaroi Klopp.