Sulmuesi kosovar Labinot Kabashi ditë më parë rinovoi kontratën edhe për dy vite të tjera me Barcelonën, teksa aktivizohet me të rinjtë e “La Masia”-s.
Aktualisht Kabashi ka rinovuar kontratën edhe për 2 vite të tjera, siç njofton faqja zyrtare e klubit të Barcelonës, me një klauzolë prej 40 milionë eurosh për shitje, ndërkohë që kjo klauzolë shkon deri në 100 milionë euro, në rast të aktivizimit të 19-vjeçarit edhe tek ekipi i parë.
Rreth 10 vite më parë, Kabashi u bashkua me radhët e “Masia”-s, shkollës së famshme të futbollit të Barcelonës, pas një eksperience të mëparshme me Gimnastic apo Manresan.
Në moshën 16-vjeçare debutoi me të rinjtë e Barcelonës, e është grumbulluar edhe nga ekipet e moshave të Kombëtares së Kosovës.
Në hapat e tij të parë me fanellën e Barçës, ai shfaqej në fushat e Kosovës duke u shoqëruar nga i ati i tij, i cili mbetet pjesë e pandashme e karrierës së të birit, edhe pse nuk ishte dakord që në fillim për kalimin e tij te “Masia”.